
Drejtoria e Burgjeve njoftoi sot se 64 vjeçari i dënuar me 25 vite burg, Fotaq Zaharaia i cili prej 10 ditësh po trajtohej në QSUT për shkak të problemeve respiratore ka ndërruar jetë.
I njohur si i forti i Vlorës, Fotaq Zaharia ishte dënuar për tentativë vrasje, grabitje në periudhën e fund viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000.
Ai kishte marrë dhe pseudonimin si i ‘forti’ i Vlorës për shkak të grabitjeve dhe pengmarrjeve që ka kryer në ato vite.
Fotaq Zaharia u prangos, por edhe pse ndodhej në masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale “vjedhje” dhe “rrëmbim personash me qëllim përfitimi”, u arratis nga dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Vlorë bashkë me Ermir Habilin, Armando Begën e Haxhi Hoxhën.
Akuza më e rëndë për Zaharinë ishte plagosja e shefit të krimeve në Vlorë, Gentian Musabelliu, të cilën e kreu bashkë me Armando Begën, shokun me të cilin ishte arratisur nga qelitë e paraburgimit të Vlorës në vitin 2000.
Fotaq Zaharia, u ndalua në banesën e vjehrrës së tij në Vlorë, dhe nga shkëmbimi i zjarrit me policinë, mbeti i plagosur, pas të cilës erdhën edhe përpjekjet e tij të vazhdueshme me drejtësinë vendase dhe ndërkombëtare.
Në janar të 2007 kur edhe u arrestua, rezultonte si një nga 10 personat më të kërkuar në Shqipëri.
Rekursi në Gjykatën e Lartë
I dënuar me 24 vite burg, për tentativë vrasje, grabitje dhe pengmarrje, ‘i forti i Vlorës’ në periudhën e fund viteve '90 dhe fillim viteve 2000, kërkoi lirinë nga burgu para një viti.
Përmes një rekursi në Gjykatën e Lartë, Zaharia pretendonte se "mbajtja në kushte ç'njerëzore dhe degraduese, të papajtueshmërisë së gjendjes shëndetësore me burgimin, i rrezikon shëndetin dhe jetën”.
Plagosja në 2007 gjatë operacionit të arrestimit dhe fitimi i gjyqit në Strasburg
Në operacionin e arrestimit 17 vite më parë ai u plagos, plagosje e cila i shkaktoi komplikacione shëndetësore të mëpasshme.
Kështu në vitin 2015, Gjykata e Krujës urdhëroi kryerjen e një ndërhyrje të dytë kirugjikale pasi pjesa metalike e vendosur në këmbë po e dëmtonte.
Çështja vijoi në Strasburg ku dy vite më parë, Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, detyroi qeverinë shqiptare ta dëmshpërblente të dënuarin me 15 mijë euro, nga të cilat 13 000 për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 euro, për kostot dhe shpenzimet.
Dikur Fotaq Zaharia ka qenë edhe subjekt i Operacionit Forca e Ligjit, ku atij i duhet të deklaronte të gjithë pasurinë e tij dhe nëse kjo pasur ishte vënë në mënyrë të ligjshme apo jo./Versus.al







