
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur pasditen e djeshme në zonën e Freskut ku një shofer 36 vjeçar kundërshtoi policinë dhe përplasi rëndë njërin prej tyre duke i shkaktuar fraktura të shumta në trup.
Mësohet se Isnik Nokshiqi nga Tropoja për arsye të paqarta ka ofenduar rëndë efektivët e policisë të cilët po përpiqeshin të merrnin masa në mënyrë që të siguronin zonën ku do të kalonte eskorta e kryeministrit Edi Rama.
Në momentin që policët i janë afruar duke i kërkuar të lëvizte automjetin nga zona ku po qëndronte, Nokshiqi u është drejtuar me fjalë fyese dhe në momentin që njëri prej policëve ka qenë para makinës, shoferi i arrestuar i dha gaz mjetit duke përplasur efektivin Artan Lami i cili po merr ndihmë mjekësore te spitali i Traumës.
Nokshiqi u arrestua pak pas ngjarjes dhe ndaj tij rëndon akuza për veprën e rëndë penale “vrasje e punonjësit të policisë, e mbetur në tentativë”. Versus.al








