AKTUALITET /

Pajisjet mjekësore të sekuestruara nga International Medicare kalojnë në përdorim të QSUT-së dhe spitaleve publike

Pajisjet mjekësore të sekuestruara nga spitali privat International Medicare, i hetuar për evazion fiskal, do të përdoren nga QSUT-ja dhe spitalet publike. Vendimi është marrë pas miratimit të Prokurorisë së Tiranës dhe kalimit të tyre në administrim nga Ministria e Shëndetësisë.

Shkruar nga Versus

Pajisjet mjekësore të sekuestruara nga International Medicare

Pajisjet mjekësore të sekuestruara në spitalin privat International Medicare, i cili po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për evazion fiskal, do të vihen në përdorim nga QSUT-ja dhe spitalet rajonale publike.

Pas miratimit nga prokurorja e çështjes, Risena Xhaja, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara i ka kaluar këto pajisje në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë, për t’u shpërndarë më tej sipas nevojave të spitaleve dhe qendrave shëndetësore publike.

Spitali privat International Medicare ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, pasi nga kontrollet u konstatua se kryente ndërhyrje kirurgjikale pa fatura tatimore, përdorte medikamente të skaduara, punësonte mjekë të huaj të palicencuar dhe kishte punonjës të pasiguruar.

Sipas autoriteteve, këto shkelje i kanë shkaktuar shtetit një dëm financiar prej rreth 400 mijë eurosh. Hetimet vijojnë./ Versus.al

Poll