AKTUALITET /

“Pendohu qen, ose të kalbëm në burg!”, Veliaj nga qelia: Më cilësojnë person me rrezikshmëri të lartë

Sipas Veliajt prokurori i ka kërkuar të pendohet ose ndryshe do të qëndojë në burg.

Shkruar nga Versus

“Pendohu qen, ose të kalbëm në burg!”, Veliaj nga

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i cili është arrestuar që prej 9 shkurtit, ka reaguar sërish nga qelia e paraburgimit të Durrësit duke akuzuar sërish prokurorin Ols Dado dhe gjyqtarin Erjon Bani se po e mbajnë padrejtësisht të burgosur.

Ai shkruan se argumenti me të cilin po e mbajnë të burgosur është se e cilësojnë si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Duke ironizuar këtë pretendim, Veliaj përmend Berishën për 21 janarin dhe djalin e tij Shkëlzen Berisha për tragjedinë e Gërdecit.

Mes të tjerash, ai shkruan se i kanë kërkuar të pendohet, por argumenton se nuk ka për çfarë akuze të pendohet.

"Pendohu qen! Përshëndetje me mall për secilin prej jush e mirënjohje për mbështetjen.

Dy ditët e fundit kam zbërthyer arsyetimin fëminor se duhet të rri në burg, se mos iki nga vendi kur jam kthyer 3 herë, dhe se mos prish provat kur, nga lodrat e fëmijëve tek statuset e Instagram-it janë në dorë të Olsit e Sametit.

Argumenti i tretë dhe i fundit i Ols Banit pse duhet të jem në burg është në faqen 278 të vendimit, ku citoj (mos qeshni ju lutem):

“Personi paraqet një rrezikshmëri shoqërore mjaft të lartë… nuk ka shfaqur në asnjë moment shenja të ndonjë reflektimi… Gjykata vlerëson se masa më e përshtatshme është arrest me burg”. Po mor po, mos u habisni, e zeza mbi të bardhë!

Pra, Zeni, që poqi të gjallë 26 veta, dhe babi i Zenit, që vrau 4 veta me plumba në mish, nuk paraqesin rrezikshmëri. Kurse ai që mbjell pemë, hap korsi biçikletash, ndërton shkolla e parqe, duhet futur në burg se ka rrezikshmëri.

Fiks stereotipi se po punove, luftove e le vepra që prodhojnë fitore të skuadrës tënde, do sulmohesh gjer në dorëzim, sa të thuash “s’ka fat i miri”. Epo, unë këtë nuk e pranoj! E refuzoj me neveri. Ky s’mund të jetë një vend ku, kush vret është i lirë, e kush punon është në burg. Kjo nuk është drejtësi!

Dhe më qesharakja: S’paskam shfaqur pendesë! Po pendesë nga çfarë? Unë ende nuk kam akuzë! Ç’është kjo logjikë sigurimsash? “Pendohu sa nuk është vonë, se të kalbëm në burg”. Ky është turp, por jo drejtësi! Paçi një ditë të mbarë e plot mirësi"- shkruan Veliaj. 

Ditë më parë gjykata i refuzoi kërkesën e bërë për kthimin e telefonit të sekuestruar që iu mor në momentin kur u arrestua me urdhër të SPAK dhe masën e firmosur nga GJKKO. Versus.al

Poll