AKTUALITET /

Për herë të dytë, GJKKO pushon çështjen ndaj Lulzim Berishës e Plaurent Dervishajt për vrasjen e Vajdin Lames

Sipas gjykatës së Posaçme, nuk ka prova që implikojnë Lulzim Berishën dhe Plaurent Dervishajn në vrasjen e Vajdin Lames.

Shkruar nga Versus
Për herë të dytë, GJKKO pushon çështjen ndaj
Foto: Viktima Vajdin Lame, ish-anëtarët e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj

Gjykata e Posaçme ka vendosur sot pushimin e çështjes së vrasjes së Vajdin Lames për të cilën akuzoheshin ish-anëtarët e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj.

Arsyetimi i dhënë nga GJKKO për pushimin e çështjes është se nuk ka prova që përfshijnë Lulzim Berishën dhe Plaurent Dervishajn në vrasjen e ndodhur në vitin 2005. Lame mbeti i vrarë pas shpërthimit me tritol në ashensorin e pallatit ku jetonte së bashku me truprojën e tij Artan Arsi.

Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u arrestua në Spanjë më 14 dhjetor të vitit të kaluar ku u gjet i kamufluar me tatuazhe dhe kapele. Prej arrestimit të tij, janë bërë përpjekje për ekstradimin në Shqipëri. Në vitin 2006, Berisha u arrestua për aktivitetin kriminal të bandës së Durrësit të kryer në vitet 1998­- 2000 për veprat penale “Vrasjes me paramendim” të kryer në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”. 16 anëtarë të kësaj bande u dënuan në total me 245 vjet burgim nga ish-Gjykata për Krimet e Rënda.

Por, në 2016-ën arriti të dilte nga burgu pa e mbyllur dënimin prej 25 vitesh duke u liruar me kusht për shkak të problemeve shëndetësore. Në vitin 2020, Lulzim Berisha u shpall në kërkim për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, vrasje të vitit 2005, të cilët u zbardhën 15 vite më vonë. Për vrasjen e Lames çështja u pushua, ndërsa aktualisht ishte në kërkim vetëm për Klodian Saliun, i cili u vra në rrugën Durrës-Maminas, në fshatin Koxhaj teksa po lëvizte me makinën “Mercedes Benz”.

Ndërsa në gusht të këtij viti, u dëbua nga Dubai Plaurent Dervishaj së bashku me anëtarin tjetër të bandës së Durrësit, Julian Meçe pasi ishin përfshirë në një përleshje fizike. Në 2020-ën Plaurent Dervishaj u shpall në kërkim nga SPAK për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj, Artan Arsit dhe Klodian Saliut ngjarje të ndodhura në shkurt të vitit 2005. Versus.al

Poll