
Altin Hajri, i njohur ndryshe si kreu i klanit “Hajri”, pavarësisht se rezulton i shpallur në kërkim që prej janarit të vitit 2020 lidhur me vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës, nëpërmjet avokatëve të tij ka dorëzuar një kërkesë për pezullimin e procesit gjyqësor që po mbahet në GJKKO ndaj tij.
Avokatët e Hajrit kërkojnë që rastin për të cilin akuzohet klienti i tyre, ta çojnë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
Kujtojmë se Altin Hajri shfaqet në kamerat e kompleksit të tij “Golden” në Pjezë pranë trupit të pajetë të Jan Prengës i cili nuk u gjet kurrë. Për vrasjen deri më tani është dënuar me burgim të përjetshëm kopshtari i “Golden” Festim Bexhdili. Ndërkohë procesi gjyqësor po vazhdon me të pandehur tjetër Dritan Rexhepin, i cili njihet si “koka” e trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës. Rexhepi ka mohuar çdo akuzë ndaj tij ndërsa thotë se nuk ka asnjë njohje me Altin Hajrin.
Emri i Hajrit përmendet edhe në dosjen hetimore ndaj ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja ku ky i fundit dyshohet se e ka ndihmuar duke e strehuar. Në këmbim të kësaj ndihme, Hajri ka ndikuar që Çyrbja të futej në listën e kandidatëve të PS për deputet dhe madje edhe të zgjidhej ligjvënës në vitin 2021. Versus.al