
Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj sot në orën 10:00 del para trupit gjykues në Apelin e Gjykatës së Posaçme ku do të kërkojë lirimin nga arresti me burg dhe zëvendësimin me një masë më të butë sigurie.
Vendimi do të merret nga Engert Pëllumbi, gjyqtari që dënoi me burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin duke u bërë i pari gjyqtar që vendoste dënimin e një ish-zyrtari të lartë të shtetit.
Pas një muaji në qelinë e paraburgimit, Veliaj me avokatët e tij do të kërkojnë ndryshimin e masës së sigurisë me arsyetimin se nuk përbën rrezik për prishjen e provave dhe se nuk do të largohet nga vendi.
Nga qelia e paraburgimit të Durrësit, Veliaj ka reaguar për çdo ditë më radhë me fyerje dhe akuza ndaj prokurorit të posaçëm Olsi Dado duke pretenduar se ky i fundit është në konflikt interesi në këtë çështje dhe nuk mund ta hetojë pasi kohë më parë ka përfituar një leje ndërtimi prej tij.
Madje për herë të parë u publikuan edhe audio nga seanca gjyqësore e Veliajt pasi ky i fundit përhapi deklarata në opinionin publik se prokurori e kishte fyer me fjalën “ndyrësirë”. Por pas publikimit të audios, u vërtetua se një pretendim i tillë, nuk ishte i vërtetë. Kryebashkiaku akuzohet për pastrim parash dhe korrupsion në 9 raste të ndryshme.
Sipas SPAK, dyshohet se ai dhe gruaja e tij Ajola Xoxa ngritën një skemë të mirëmenduar për vjeljen e fondeve nga bashkia e Tiranës, duke përdorur edhe disa prej biznesmenëve ndaj të cilëve GJKKO ka caktuar “detyrim paraqitje”, konkretisht për 5 prej tyre. Ndërsa i vetmi biznesmen me masën “arrest me burg” është Eman Abule. Versus.al







