
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në vend si pasojë e motit të keq. Në reagim bëhet me dije se në aksin Dushaj-Lekbibaj ka patur rrëshqitje gurësh duke bllokuar qarkullimin.
Situata paraqitet e rënduar në Durrës ku paralajmërohet se situata mund të rëndohet edhe më tej në rast se reshjet vijojnë me të njëjtin intensitet.
Reagimi i ministrisë:
Reshje shiu me intensitet të lartë kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit që prej orëve të para të ditës së sotme. Për pasojë janë evidentuar disa problematika. Që në momentet e para të gjitha strukturat nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë qenë dhe vijojnë të jenë në terren duke ndërhyrë për normalizimin e situatës.
AKSET RRUGORE
•Në zonën veriore reshjet e shiut kanë qenë me intensitet të lartë duke sjellë rënie gurësh e inertesh në trup të rrugës dhe prurje uji të mëdha.
•Në aksin Bogë-Theth ka pasur reshje dëbore.
Akset ku ka pasur probleme:
•Bajram Curri–Valbonë
•Ura Bujan–Qafë Morinë
•Bajram Curri–Fierzë
•Dedaj-Bogë
•Kukës–Krumë
•Kukës–Shishtavec – Skuraj–Peshkopi
•Dushaj–Lekbibaj në km 4, ka ndodhur një rreshqitje duke vështirësuar qarkullimin, po punohet për largimin e materialit nga pjesa kaluese e rrugës.
•Në aksin Vorë-Maminas në km 2 ka prezencë të ujit në rrugë.
•Kontraktorët me mjete e punëtorë kanë qenë në terren pa ndërprerje për të bërë pastrimin e akseve.
FURNIZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE
•Aktualisht në rang vendi janë 22 fidera jashtë pune, ku rajoni më i prekur është Durrësi, ndikuar nga moti i keq dhe prezenca e ujit në kabina.
•Të gjitha linjat që furnizojnë hidrovorët janë në funksion, përveç segmentit në Synej të Kavajës, për të cilin është duke u punuar.
•Linjat 35kV dhe nënstacionet furnizojnë normalisht me energji elektrike.
RRJETI I TRANSMETIMIT
•Të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në operim normal.
•Të gjitha brigadat e linjave dhe nënstacioneve janë në gatishmëri.
•Në Nënstacionin Rrashbull 220/110 kV ka prani të shtuar uji në sheshin e nënstacionit. Ekipet e OST-së, në bashkëpunim me Emergjencat Civile po marrin masat e nevojshme për evadimin e ujit.
SITUATA NË KASKADËN E DRINIT
•Si pasojë e reshjeve të shiut me intensitet të lartë, prurjet në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës vijojnë të mbeten të larta, pa shfaqur tendencë rënieje.
•Aktualisht, këto njësi prodhimi janë në punë me kapacitet të plotë, me gjithsej 9 agregate në funksion. Uji i ardhur përpunohet për vënien në punë të njësive prodhuese, rezervohet në liqene brenda kuotave të lejuara dhe pjesa tjetër shkarkohet në mënyrë të detyrueshme, me qëllim garantimin e sigurisë së veprave prodhuese.
FURNIZIMI ME UJË
Rajoni Durrës
•Situata paraqitet problematike, si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë që vijojnë pa ndërprerje.
•Të gjitha stacionet e pompave janë në funksion të plotë.
•Niveli i kanalit të hidrovorit është maksimal;
•Situata vlerësohet e rënduar, me rrezik për agravim për shkak të vazhdimit të reshjeve intensive.
•Strukturat përkatëse janë në terren dhe po ndjekin situatën në mënyrë të vazhdueshme.
•Në pjesën tjetër të rajoneve, pavarësisht reshjeve, nuk janë evidentuar problematika në sistemet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve.
•Situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll, ndërsa grupet e punës janë në gatishmëri të plotë për të monitoruar nga afër çdo zhvillim dhe për të ndërhyrë menjëherë në rast nevoje.
PORTET DHE AEROPORTI
Porti Durrës
Situata në Portin e Durrësit aktualisht paraqitet normale, pa probleme në veprimtarinë portuale. Po vijon imbarkimi i pasagjerëve për tragetet që kanë lundrim në mesditë. Furnizimi me energji vijon pa problem.
Porti Vlorë
Nuk ka pasur traget në nisje dhe as anije të tjera të ankoruara. Nisja nga Brindizi e tragetit mbetet në varësi të kushteve të motit. Kapiteneria ka pezulluar daljen e anijeve të vogla në gjirin e Vlorës.
Porti Sarandë
Situata e qetë. Trageti i linjës me Korfuzin vijon operimet.
Aeroporti “Nënë Tereza”
Operimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës vazhdojnë normalisht. Situata meteorologjike në zonën përreth Aeroportit vazhdon të jetë e ngarkuar. Versus.al


