AKTUALITET /

Sa zgjat një mandat i nisur me vonesë? Publikohen 4 pyetjet e kryetares së Kushtetueses drejtuar Venecias

Shkruar nga Versus

Sa zgjat një mandat i nisur me vonesë? Publikohen 4 pyetjet e

Ditën e djeshme, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj njoftoi se do t’i drejtohej Komisionit të Venecias për opinion lidhur me kohëzgjatjen e mandatit të saj si anëtare e institucionit që drejton.

Pavarësisht se pritej që Zaçaj të njoftonte vakancën për mandatin e saj që përfundon në mars të 2025-ës, ajo pretendon se afati është deri në përfundimin e vitit të ardhshëm dhe për këtë gjë i ka drejtuar komisionit të Venecias 4 pyetje.

“Kam konsideruar t'i drejtohem menjëherë Komisionit të Venecias, si organ këshillimor, për marrjen e një opinioni amicus curiae në lidhje me interpretimin e afatit kushtetues të qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve kushtetues në përgjithësi dhe, në veçanti, sipas parashikimeve të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës.  Për sa më sipër, vlerësoj të parashtroj pyetjet si më poshtë vijon:

Pyetja nr. 1/ Cila do të jetë data e mbarimit të mandatit të atyre gjyqtarëve kushtetues për të cilët dispozitat kalimtare kushtetuese, neni 179, pika 3. i Kushtetutës, ka përcaktuar vetëm vitin e fundit të qëndrimit në detyrë (në rastin e znj. Holta Zaçaj viti 2025 dhe në rastin e z. Sandër Beci viti 2028)?

Pyetja nr. 2/ A mund të përdoret data e mbarimit të mandatit të plotë të gjyqtarit paraardhës si datë për llogaritjen e mbarimit të mandatit të gjyqtarit pasues, në skenarët e mëposhtëm: Në përgjithësi, për të gjithë gjyqtarët kushtetues, duke pasur parasysh përmbajtjen Kushtetutës? nenit 125, pika 3, dhe nenit 129. Në veçanti, për gjyqtarët mandatët e të cilëve mbarojnë në vite të përcaktuara, sipas nenit 179, pika 3, të Kushtetutës (2025 dhe 2028)?

Pyetja nr. 3/ Nëse një gjyqtar është zgjedhur për një mandat të plotë në referencë të shpalljes së vakancës dhe vendimit të organit të emërtesës për emërimin/zgjedhjen e tij, a mundet që ky mandat të kufizohet më pas për qëllim të respektimit të rregullit të përtëritjes së rregullt çdo tre vjet me një të tretën e trupës? Cili parim duhet të prevalojë në këto raste, ai i qëndrimit në detyrë për 9 vjet (mandati i plotë kushtetues) apo ai i përtëritjes së Gjykatës?

Pyetja nr. 4/ Nëse një gjyqtar emërohet/zgjidhet për një mandat të plotë me vonesë pas çeljes së vakancës (ndërkohë që gjyqtari paraardhës ka të drejtë të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit) a do të ndikojë kjo vonesë në kohëzgjatjen e mandatit të tij kushtetues në kuptimin e shkurtimit të tij më kohën e vonesës nga shpallja e vakancës? Nëse ky mandat nuk shkurtohet, si zbatohet rregulli i rotacionit në një rast të tillë? A mund të zbatohet rregulli i përtëritjes së Gjykatës çdo tre vjet për më pak se tre gjyqtarë?”, thuhet në dokumentin e dërguar në Venecia.

Zaçaj e mori mandatin në janar të vitit 2023 pasi Gjykata Kushtetuese kishte mbetur e paplotësuar që prej vitit 2017. Në këto kushte, Zaçaj ka ngritur pikëpyetje lidhur me kohëzgjatjen e mandatit të saj në kushtet kur nuk e ka ushtruar atë të plotë për shkak të ngërçeve në zgjedhjen e anëtarit nga Gjykata e Lartë. Në Gjykatën Kushtetuese presin për verdikt një sërë çështjesh “të nxehta” siç është ajo e ankimimit të grupeve kriminale kundrejt përgjimeve të “Sky Ecc” duke kërkuar që këto të fundit të mos përdoren si prova në gjykata kundër tyre. Versus.al

Poll