
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur ditën e sotme seanca e radhës në rastin e vrasjes së Lirdona Ademajt, ku i akuzuari kryesor për këtë rast është bashkëshorti i të ndjerës, Naim Murseli dhe dy të tjerë, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla. Në këtë seancë po dëshmojnë zyrtarë të Psikiatrisë Forenzike për ekzaminimin e gjendjes së Naim Murseli.
Ish- drejtori i Klinikës së Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri, në dëshminë e tij u shpreh se nuk është konstatuar asnjë çrregullim mendor tek i akuzuari.
Haxhibeqiri, gjatë seancës tha se Murseli gjatë qëndrimit në klinikë, ka refuzuar tabletat “Psikopharmak”, që rekomandohen për personat me çrregullime mendore.
Por Naim Murseli pati një pyetje rreth raportit për ekspertizën psikiatrike që i është bërë atij.
“Ne media kam parë tituj që ekzaminimi im thotë që Naim Murseli ishte në gjendje të aftësisë në momentin kur vrau gruan e tij. Pyetja ime është kjo. A e thotë raporti që unë e kam vrarë gruan time”, tha Murseli në seancë.
“Psikopharmak” rekomandohen për trajtimin e simptomave e çrregullimeve mendore, si depresioni, ankthi, skizofrenia, çrregullimet bipolare, çrregullimet e panikut, obsesive-kompulsive, e të tjera./Versus.al







