
Pesë prokurorë të posaçëm janë nisur drejt Brazilit ditën e sotme. Mësohet se kreu i SPAK, Altin Dumani dhe prokurorët Arben Kraja, Adnand Xholi, Elida Kaçkini dhe Vladimir Kraja, janë pjesë e grupit hetimor të nisur drejt vendit të Amerikës Latine ku grupet shqiptare rezultojnë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Versus.al mëson se bëhet fjalë për dy raste të zbardhura për të cilat SPAK ka pasur bashkëpunim me agjensi ligjzbatuese të Brazilit mbi goditjen e trafikut nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Një prej rasteve është ai i trafikut të kokainës me vlerë 9 milionë dollarë në vitin 2019 e cila u zbulua nga autoritetet braziliane me detajin dallues logon e “Kf Elbasanit”. Asokohe shoferi i kamionit deklaroi se ishte paguar 10 mijë dollarë për të transportuar drogën që u fut në kontejnerët e mbushur me banane dhe kishte si destinacion vendet e pasura të Evropës. Versus.al








