
Gjykata e Apelit të Tiranës do të marrë vendimin mbi ankimin e Arbër Paplekajt më 1 korrik. Ish-efektivi i forcave “RENEA” i cili u dënua me 22 vite burg për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, pretendon se çdo gjë e ka bërë si reagim për vetëmbrojtje.
Ndërsa prokurori i çështjes, Gent Xholi tha se nuk sheh asgjë të re në pretendimet e paraqitura nga avokati mbrojtës i Paplekajt i cili rindërtoi dinamikën e ngjarjes me pretendimet e klientit të tij i cili ngulmon se ishte sulmuar nga disa persona teksa tentonte të parandalonte një krim zgjedhor.
Xholi tha se Paplekaj ka qëlluar 7 herë në drejtim të viktimës dhe se në trupin e Xhuvanit janë gjetur disa plumba, ndërsa tha se në drejtim të Paplekajt nuk ka pasur të shtëna me armë ndryshe nga sa pretendon mbrojtja.
“Shqyrtimi i seancës gjyqësore u rihap por nuk silloi asgjë të re. Nuk shoh elemet tjetër ose të ri që të ndryshoj qëndrim. Mbrojta kërkon që të legjitimoj veprimet e të pandehurit. Është e vërtetë që ngjarja ka ndodhur në pak sekonda, por unë shikoj provat dhe provë është që Paplekaj ka qëlluar 7 herë në drejtim të një personi dhe në trupin e viktimës janë gjetur disa plumba, ndërkohë që në drejtim të tij nuk ka pasur të shtëna me armë. Nuk dua të zgjatem më tepër e nderuar”- u shpreh prokurori.
Në seancën e sotme ishte i pranishëm edhe ish-nëndrejtori i policisë së Elbasanit, Albert Nushi i cili, sipas dëshmitarëve ia mbathi me vrap teksa u dëgjuan të shtënat. Duke mohuar të kishte shpërdoruar detyrën apo të kishte dhënë deklaratë të rreme, Nushi tha se kushdo specialist të kishte qenë në vendin e tij, nuk e kishte ndalur dot ngjarjen kriminale. Versus.al







