Prokurori Ols Dado, i cili ka hetuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, është përfshirë në një rast të mundshëm konflikti interesi, pasi rezulton përfitues i një leje ndërtimi të miratuar nga vetë kryebashkiaku. Dokumentet tregojnë se Dado figuron si bashkëpronar i një godine shumëkatëshe në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit, duke ngritur dyshime mbi objektivitetin e tij në hetimin ndaj Veliajt.
Leja e ndërtimit dhe vlera e objektit
Leja e ndërtimit, e firmosur nga Veliaj, lejon ndërtimin e një objekti banimi dhe shërbimi me 9 kate dhe 2 kate nëntokë në rrugën Bogdanët, në njësinë administrative nr. 10. Kjo zonë ka një nga vlerat më të larta të pasurive të paluajtshme në Tiranë, me një vlerë referencë që arrin mbi 1.5 milion euro.
Kush janë përfituesit ?
Në dokumentin e miratuar nga Bashkia e Tiranës, Ols Dado figuron si një nga pronarët, së bashku me individë të tjerë, përfshirë Terezina Adhami, Zef Berisha, Eduard Berisha, Ana Shkreli, Franc Berisha, Frederik Berisha, Karmelina Berisha, Mike Berisha, Terezina Berisha, Xhilda Berisha, Atnand Dema, Roland Roshi dhe Xhuljana Karruku.
A ka ndikuar kjo leje në hetimin ndaj Veliajt?
Fakti që një prokuror, i cili ka pasur në dorë një çështje të rëndësishme që përfshin Erion Veliajn, është njëkohësisht përfitues i një leje ndërtimi të miratuar nga ai, ngre dyshime mbi paanshmërinë dhe integritetin e hetimeve. Kjo situatë mund të përbëjë konflikt interesi, duke vënë në pikëpyetje nëse hetimi ndaj Veliajt është zhvilluar me objektivitet të plotë apo jo. /Versus.al/







