AKTUALITET /

"U bëtë qesharakë", Veliaj sulmon sërish prokurorin dhe gjyqtarin e posaçëm: S'kam çfarë provash të prish, celularin tim e keni

Shkruar nga Versus
"U bëtë qesharakë", Veliaj sulmon sërish
Prokurori i SPAK, Ols Dado dhe kryebashkiaku Erion Veliaj

Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj ka vijuar sërish me reagimet e tij nga qelia ku sulmon prokurorin Ols Dado dhe gjyqtarin Erjon Bani se po e mbajnë në burg pa qenë nevoja.

Ai shkruan se nuk ka asnjë rrezik që të prishë provat e hetimeve ndaj tij dhe se në këtë mënyrë po japin mesazh të gabuar se kushdo që punon, ndëshkohet. Veliaj pretendon se ka ikur e është kthyer 3 herë gjersa hetimet për të vijonin.

Shkrimi i plotë në rrjetet sociale:

Se mos prishen lodrat!

Më ka marrë malli pa fund për ju të gjithë: Familjen, Tiranën e secilin që bën punë të mira në këtë vend.

Por, gjer sa të shihemi sërish, më duhet të vazhdoj çmontimin e kurthit pse jam në burg: rrezik ikje, prishje provash, rrezik shoqëror.

Dje rrëzova “frikën e ikjes” prej Ols Dados e Erion Banit, pasi kisha ikur 3 herë e isha kthyer 3 herë, teksa gatuhej çarku ndaj meje.

Arsyeja e dytë pse gjykatësi Bani pranoi nga Olsi burg për mua, është rreziku i prishjes së provave. Po cilat prova do prish unë? Celularët i ka Olsi, timin dhe të nja 10 grarive në Tiranë, me të cilët mund të vojerizojë gjithë ditën e gjithë natën, të shohë çdo foto familjare, bebet, kërthizën, dhëmbin e parë, videot e fjalëve të para, fotot me gjyshin e ndjerë në plazh; të gjitha provat e nevojshme për ku e si jetojmë.

Cilat prova do të prish unë?

Kanë edhe lodrat e fëmijëve dhe ish makinën e vjehrrit. Ç’a halli kanë? Mos do vete do formoj legot, e nga traktor do bëj vapor lodër, apo do marr makinën e Ben Xoxës e do e djeg në Fushë-Krujë a Mumajes si mjet i krimit?

Çfarë provash do prish?

Do vete në Yrshek të nxjerr fakirin nga shtëpia një katëshe apo do fshij statuset për balerinët e Preljocajt?

Boll u bëtë qesharakë! Po i thoni miletit se po punove do ta hash, po pate kurajo do dënohesh, po solle progres do të bëjnë gjëmën, po fitove do të të shqyejmë.

Olsi Dado dhe Erion Bani, ju mendoni se jeni më të lirë se unë në burg, por ju burgun e keni në shpirt e njerëz të lirë nuk keni qenë kurrë! Përqafime të gjithëve!

Gjatë ditës së sotme gjyqtari i posaçëm Erjon Bani, rrëzoi kërkesën e bërë nga Veliaj për kthimin e telefonit të sekuestruar gjatë arrestimit të tij. Versus.al

Poll