
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pas rastit të 34-vjeçares me inicialet D.S., e cila po vuan një dënim prej 2 muajsh burgim në IEVP Pojskë së bashku me foshnjën e saj 11-muajshe.
Sipas njoftimit zyrtar, vendosja e fëmijës pranë nënës është bërë në bazë të ligjit, i cili garanton mbrojtjen e të drejtave të nënave të privuara nga liria dhe interesin më të lartë të fëmijës.
Autoritetet bëjnë me dije se gjatë procedurave të pranimit në institucion, gruaja ka kërkuar ushtrimin e të drejtës për të mbajtur pranë saj fëmijën nën moshën 3 vjeç, e parashikuar në legjislacionin për trajtimin e të dënuarve me burgim.
Pas administrimit të dokumentacionit përkatës, foshnja është akomoduar në ambiente të posaçme të institucionit, jashtë regjimit të zakonshëm të burgimit, të përshtatura për qëndrimin e nënave me fëmijët e tyre.
Drejtoria e Burgjeve bën me dije se për nënën dhe fëmijën është hartuar një plan i veçantë përkujdesjeje, që përfshin kujdesin shëndetësor, ushqimin, sigurinë dhe mbështetjen psikologjike e sociale.
Sipas institucionit, situata po monitorohet nga një staf multidisiplinar me qëllim garantimin e mirëqenies së foshnjës dhe respektimin e të drejtave të saj.

