AKTUALITET /

Veliaj kërkon lirimin nga qelia, dorëzon prova të tjera në Apelin e GJKKO

Pas dy javësh në qelinë e paraburgimit nga ku ka reaguar me anë të postimeve në rrjete sociale, Veliaj ka dërguar sot prova të reja në Apelin e GJKKO duke pretenduar lirimin nga qelia.

Shkruar nga Versus

Veliaj kërkon lirimin nga qelia, dorëzon prova të tjera në

Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar për herë të dytë apelit të GJKKO duke dorëzuar prova të reja për argumentet e tij kundër masës së arrestit me burg.

Pas ankimit të vendimit në mungesë të 9 shkurtit të gjyqtarit Erion Bani, që i hapi rrugë arrestimit të tij një ditë më pas, Valiaj kundërshton edhe vendimin e 12 shkurtit ku pas marrjes në pyetje iu la në fuqi kjo masë. Përmes këtij ankimi, mbrojtja thotë se ka shtuar provat rreth kërkesës së parë, ku gjykata pritet të shprehet njëherësh për të dyja vendimet. Erion Veliaj mbahet në qeli për korrupsion pasiv në të paktën 9 episode dhe për pastrim parash, kryer në bashkëpunim.

Në seancën e vlerësimit të masave, GJKKO rinonfirmoi 6 nga 8 masat e sigurisë, përkatësisht arrestin në burg për Erion Veliajn dhe biznesmenin Elman Abule, si dhe 4 masa të tjera detyrim paraqitje për biznesmenët e ndërtimit Shkëlqim Fusha, Gentjan Sula, Fatmir Bektashi e Meriman Palushi. Për bashkëshorten e kryebashkiakut, gjyqtari Erion Bani zbuti masën nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje, përkundër qëndrimit të prokurorëve Ols Dado e Altin Dumani që kërkuan vijimin e masës.

Dje Këshilli i Lartë i Prokurorisë reagoi ndaj fyerjeve dhe sulmeve të vazhdueshme që kryebashkiaku Erion Veliaj ka bërë ndaj prokurorit Ols Dado i cili ndjek çështjen e tij. KLP i cilësoi denigrimet e figurës së prokurorit si të dëmshme për procesin dhe bëri thirrje për heqjen dorë të presionit ndaj SPAK. Versus.al

Poll