AKTUALITET /

Veliaj kërkon lirimin nga qelia, më 11 mars vendos gjyqtari që dënoi Tahirin

Veliaj i arrestuar më 9 shkurt, kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, me pretendimin se nuk paraqet rrezikshmëri për të prishur provat e hetimit apo për t'u larguar nga vendi.

Shkruar nga Versus
Veliaj kërkon lirimin nga qelia, më 11 mars vendos gjyqtari që
Fotomontazh: Gjyqtari i posaçëm Engert Pëllumbi dhe kryebashkiaku Erion Veliaj

Më 11 mars, në Apelin e Gjykatës së Posaçme mbahet seanca kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj i cili ka kërkuar lirimin nga qelia e paraburgimit dhe hetimin e tij në gjendje të lirë.

Kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtari i posaçëm Engert Pëllumbi i cili njihet si gjyqtari që dënoi me 3 vite e 4 muaj burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në shkurt të vitit 2022 nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Pëllumbi gjithashtu është gjyqtari që i riktheu Sali Berishës masën “detyrim paraqitje” pasi SPAK kishte kërkuar rikthimin e arrestit shtëpiak ndaj kryedemokratit për aferën “Partizani’.

Ndërkohë, Erion Veliaj akuzohet për pastrim parash dhe korrupsion në 9 raste. Kryebashkiaku u arrestua më 9 shkurt, ndërsa më 12 shkurt u dërgua në paraburgimin e Durrësit pas konfirmimit të masës së sigurisë nga GJKKO.

Veliaj ka qenë i përditshëm me reagimet e tij nga burgu të cilat postohen në rrjetin social ‘facebook’ nga ku akuzon vazhdimisht prokurorin e çështjes së tij dhe gjyqtarin Erjon Bani si të nxitur politikisht nga PD për të caktuar këtë masë sigurie ndaj tij. Në ditët e fundit, kryebashkiaku ka kërkuar vazhdimisht ndryshimin e masës së sigurisë me pretendimin se nuk përbën rrezik për prishjen e provave të hetimit.

Ndërkohë që më 12 shkurt mbahej seanca për konfirmimin e masës së sigurisë për Veliajn, qindra persona u mblodhën jashtë institucionit në mbështetje të tij. Pjesa më e madhe e tyre rezultonin të punësuar në bashki apo drejtori të ndryshme, ndërsa vetë Rama gjatë një takimi që zhvilloi me ta më 20 shkurt u vuri ultimatum që një gjë e tillë të mos përsëritet më.

Për grumbullimin e mbështetësve të Veliajt pati reagime të ashpra nga SPAK dhe GJKKO që theksuan se u kërcënuan gjyqtarë e prokurorë. Ndërsa ka nisur hetimi për zv.drejtorin e policisë së Tiranës dhe për shefin e repartit “Shqiponja”. Versus.al

Poll