Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj është paraqitur sot në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” që i caktoi Gjykata e Posaçme.
Xoxa akuzohet për pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa në seancën e mbajtur në GJKKO më 12 shkurt iu caktua zbutje e masës së sigurisë nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje për shkak se i duhej të dërgonte djalin në shkollë.
Ditën e djeshme, GJKKO rrëzoi kërkesën e Ajola Xoxës për kthimin e celularit të sekuestruar dhe kundërshtimin e bërë prej saj për kontrollet e BKH në apartamentin në "Sky Tower" ku u sekuestruan sende të rëndësishme për hetimin.
Një ditë më parë në SPAK u paraqit Valbona Xoxa e ëma e Ajola Xoxës për t’u pyetur lidhur me transaksionet e së bijës dhe vilën në Qerret për të cilën Veliaj dhe bashkëshortja e tij pretendojnë se nuk është në pronësinë e tyre.
Sipas dosjes së SPAK, Xoxa dhe Veliaj ngritën një skemë komplekse për të përvetësuar fondet e bashkisë Tiranë nëpërmjet pagesave që institucioni bënte kundrejt kompanive të biznesmenëve të ndryshëm dhe më pas këta të fundit i dërgonin në organizatat e Ajola Xoxës.
Vetë Xoxa ka reaguar së fundmi në një postim në rrjetet sociale ku pretendon se ndaj saj po bëhet një padrejtësi dhe se shifrat e pagesave prej 860 mijë eurosh janë të fryra me qëllim nga prokurorët e SPAK. Versus.al







