Këto janë pamjet e konfliktit masiv të regjistruar në fshatin Gjashtë të Sarandës, ku u përfshinë edhe katër efektivë policie.
Në video shihet qartë përleshja mes disa personave, madje në një moment njëri prej tyre nxjerr armën dhe qëllon në ajër. Ngjarja u shënua rreth orës 01:30 të mëngjesit më 2 janar, pranë një restoranti.
Të shtunën, policia arrestoi 19-vjeçarin Izet Abazaj, i cili akuzohet për një grabitje dhe rezulton të jetë i përfshirë edhe në konfliktin e dy ditëve më parë.
Vëllezërit Enea Nexhipi dhe Albion Nexhipi, të cilët drejtonin një biznes të makinave me qira, janë përfshirë në sherrin që përshkallëzoi situatën. Polici Alvaro Sulejmani dyshohet se ka shkuar për të mbrojtur 19-vjeçarin Abazaj, i cili u kishte marrë një makinë me qira vëllezërve dhe nuk e kishte kthyer.
Polici, së bashku me rreth 10 persona të tjerë, shkoi në shtëpinë e vëllezërve Nexhipi pas mesnate, ku ndodhi përplasja fizike. Gjatë sherrit, ata i goditën vëllezërit me sende të forta, duke i lënë të plagosur. Në konflikt pati gjithashtu të shtëna me armë zjarri.
Dy vëllezërit Albion dhe Enea Nexhipi pësuan plagë të shumta, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka arrestuar 4 efektivë, përfshirë Alvaro Sulejmanin, si dhe dy vëllezërit Inklid dhe Mihal Suljmani, si dhe Ergis Sulejmanin, kushëri i tyre. Në pranga kanë rënë edhe 4 persona të tjerë, ndërsa 2 po hetohen në gjendje të lirë dhe 2 janë shpallur në kërkim.







