
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka njoftuar se ka pezulluar përkohësisht pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje, punonjësit e policisë që shfaqën sjellje të pahijshme ndaj disa turisteve femra gjatë një operacioni në Sarandë.
AMP sqaron se, ngjarja në fjalë ka ndodhur më 11 qershor 2026, kur punonjës të AMP-së, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë ekzekutuar një urdhër kontrolli në banesën e efektivit Ajdin Islamaj.
Ky i fundit, i cili është nën hetim për veprën penale të "Shpërdorimit të detyrës", dyshohet se fillimisht ka kundërshtuar dhe ka refuzuar t'i hapë derën grupit operativ për të lejuar ushtrimin e kontrollit të vendosur nga gjykata.
Në vijim të shqetësimeve të ngritura nga pamjet e publikuara, AMP njoftoi se ka vendosur pezullimin e përkohshëm të punonjësve të shfaqur në video, duke hapur njëkohësisht një proces disiplinor për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ndërhyrjeje.
Materialet procedurale janë dërguar për vlerësim pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, e cila do të vendosë mbi hapat e mëtejshëm ligjorë për të sqaruar nëse ka pasur tejkalim të kompetencave nga ana e punonjësve të agjencisë gjatë kontrollit në banesën e kolegut të tyre.
Njoftimi nga AMP
"Lidhur me publikimin në rrjetet sociale të një videoje, në të cilën pretendohet se janë të përfshirë disa punonjës të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në qytetin e Sarandës, ju informojmë si më poshtë:
Në datë 11.06.2026, punonjësit e AMP-së ndodheshin në qytetin e Sarandës, së bashku me punonjës të Policisë së Shtetit, në kuadër të zbatimit të urdhrit të prokurorit, të nxjerrë mbi bazën e vendimit të gjykatës, për kontrollin e banesës së punonjësit të policisë Ajdin Islamaj.
Shtetasi në fjalë është person nën hetim në kuadër të procedimit penal nr. 304/2026, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ndaj të cilit është caktuar masë sigurimi. Gjatë veprimeve për ekzekutimin e urdhrit të kontrollit, punonjësi i policisë fillimisht ka kundërshtuar dhe ka refuzuar të hapë derën e banesës për ushtrimin e kontrollit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka marrë masën e pezullimit të përkohshëm të punonjësve të pretenduar si të përfshirë në video dhe ka nisur procedimin disiplinor për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Njëkohësisht, po kryhen veprimet e para procedurale dhe materialet përkatëse do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm./Versus.al

