AKTUALITET /

Vrasja në Pogradec, zbardhet vendimi i Gjykatës, autori Denis Meçe ofroi 10 mln lekë për zbutje mase

Vrasja që ndodhi pranë një lokali, në lagjen nr.2 në Pogradec përfundoi në zbutje akuze për Meçen, nga ‘Vrasje me dashje’ e referuar nga Policia në ‘Vrasje nga pakujdesia’

Shkruar nga M.H

Vrasja në Pogradec, zbardhet vendimi i Gjykatës, autori Denis

Autori i vrasjes së Egli Progës në Pogradec më 10 gusht, Denis Meçe, është lënë në burg nga Gjykata e Korçës, vendim i cili ka arritur të zbardhet dhe të paraqesë detaje të reja nga ngjarja e rëndë.

Vrasja që ndodhi pranë një lokali, në lagjen nr.2 në Pogradec përfundoi në zbutje akuze për Meçen, nga ‘Vrasje me dashje’ e referuar nga Policia në ‘Vrasje nga pakujdesia’.

Autori i ngjarjes pohoi se ka qenë duke pirë në lokal rreth orës 15:00,  dhe pas pak orësh ka ardhur edhe viktima, nga ku nisi edhe konflikti për një cigare, përparoi në të shara e përfundoi me fundin tragjik të 42-vjeçarit.

Meçe pasi është larguar i dehur nga vendngjarja pas krimit ka fjetur në makinë. Më pas, pasi është përmendur ka telefonuar avokatin dhe i ka kërkuar për ta shoqëruar në komisariat.

"Rrugës për në fshatin Buçimas kam ndaluar makinën time në krah të rrugës dhe kam fjetur, pasi isha i dehur, kur më ka dalë gjumi. Mora në telefon avokatin, duke i thënë se çfarë kishte ndodhur, pasi kisha merak dhe ai më tha që personi i dëmtuar kishte ndërruar jetë. Në këtë moment i kam thënë avokatit "eja më merr dhe më shoqëro për në komisariat sepse dua të jap deklarimet time". Dua të theksoj se nuk kam patur konflikte me personin e dëmtuar, as nuk kam patur njohje me të, nuk kam patur qëllim për të sjellë këtë pasojë, por edhe nuk kam patur qëllim që t'i shkaktoj asnjë lloj dëmtimi. kam dashur vetëm t'i tërheq vëmendjen, por ai ishte në gjendje aq të dehur sa me zor e mbanin këmbët".

Në seancën gjyqësore avokati ka thënë se 29 vjeçari ka pasur vullnet për të dhënë shpjegime për atë që ka ndodhur, pasi ai nuk ka pasur për qëllim të kryejë vrasjen e babait të dy fëmijëve, dhe as të largohet.

"Avokati Eduart Muçi deklaroi në gjykatë se klienti i tij Denis Meçe nuk ka pasur për qëllim t'i fshihet drejtësisë largimi i tij menjëherë pas ngjarjes ka qenë i pavullnetshëm dhe në kushtet kur ka qenë i dehur.  Ai ka fjetur në automjet derisa është përmendur, ka telefonuar atë si avokat, dhe pasi i është shpjeguar se çfarë kishte ndodhur, vetë i ka kërkuar për ta shoqëruar për në Komisariatin e Policisë".

Ndërkaq në dosje zbulohet dhe se avokati ka kërkuar garanci prej 1 mln lekësh për ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ por gjykata e ka refuzuar.

"Kërkohet nga gjykata që të caktohet si masë sigurimi "arrestin në shtëpi" parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ose "Garancia pasurore" në shumën 1.000.000 lekë, e cila është një vlerë e konsiderueshme dhe i garanton gjykatës që nëse ky person i fshihet drejtësisë dëmi ekonomik do të jetë tepër i madh".

Denis Meçe ka kërkuar ndjesë dhe ka thënë që është i keqardhur për sa ka ndodhur, pas nuk ka pasur për qëllim ta dëmtojë dhe aq më tepër ta vrasë të ndjerin.

"Vetë shtetasi nën hetim Denis Meçe deklaroi se është dakord me sa parashtroi avokati. Ai kërkon ndjesë dhe është tepër i keqardhur për sa ka ndodhur, pas ai nuk ka pasur për qëllim ta dëmtojë dhe aq më tepër ta vrasë të ndjerin" shkruhet në vendim.

Më 12 gusht Gjykata e Korçës caktoi masën e sigurisë 'arrest me burg' për Denis Meçen për akuzën e 'vrasjes nga pakujdesia' dhe 'detyrim me paraqitje' për tre të arrestuarit e tjerë të akuzuar për 'moskallëzim krimi'  Voltan Shulku, Arian Manellari e Leonidha Guçe./ Versus.al

Poll