AKTUALITET /

Ankorohet në port anija “Moliva”, 102 kontejnerët me mbetjet toksike do të transportohen në Porto Romano

Kontejnerët e mbushur me 2100 ton mbetje toksike do të monitorohen me kamera përgjatë 24 orëve.

Shkruar nga Versus

Ankorohet në port anija “Moliva”, 102 kontejnerët me

Pas disa ditësh në Radë, rreth 1.5 milje larg portit të Durrësit, anija Molive me 102 kontejnerë që dyshohet se përmbajnë 2100 ton mbetje toksike, është ankoruar sot.

Duke qenë se kontejnerët janë nën sekuestro për shkak të hetimeve që po kryen prokuroria e Durrësit, ato do të transportohen në Porto Romano ku do të monitorohen 24 orë nga kamerat.

Ngarkesa me mbetje toksike është kthyer në një debat kombëtar pas denoncimit të bërë nga Rrjeti i Bazelit që deklaroi se po bëhej tregti ndërkombëtare me mbetje toksike të rrezikshme për shëndetin. Mbetjet që dyshohet se u prodhuan nga kompania turke “Kurum” në Elbasan dhe më pas u blenë nga kompania Sokolaj për t’u transportuar në Tajlandë, u kthyen mbrapsht dhe pas muajsh lundrimi, anija u ankorua në Portin e Durrësit 10 ditë më parë.

Jim Puckett drejtor ekzekutiv i Rrjetit të Bazelit tha para mediave se një ngarkesë e tillë nuk duhej të ishte transportuar kurrë dhe tha se mostrat e ekzaminuara tregojnë se bëhet fjalë për mbetje toksike tepër të rrezikshme të cilat shkaktojnë edhe kancer. Ai tha se një prej zgjidhjeve mund të jetë dërgimi në një prej landfilleve mbetjesh në vendet perëndimore të Evropës.

Nga ana tjetër, në një interpelancë me opozitën në Kuvend, kryeministri Edi Rama u përgjigj duke mohuar që mbetjet të kenë ndonjë rrezikshmëri për shëndetin. Ndërsa prokuroria e Durrësit ka sekuestruar dokumentet e kompanisë “Kurum” e cila pezulloi aktivitetin pas zbulimit të skandalit. Versus.al

Poll