Bashkëshortja dhe vëllai i kryebashkiakut Erion Veliaj, kanë ankimuar sot në gjykatën e shkallës së parë kontrollet e kryera nga BKH 1 javë më parë në kudër të hetimit pasuror të nisur për qytetarin e parë të Tiranës dhe familjarët e tij. Ajola Xoxa, të cilës iu sekuestrua telefoni dhe iu ushtrua kontroll në qendrën e saj ‘Harabel’ si dhe Arbër Veliaj kanë ankimuar veprimet e kryera nga Byroja Kombëtare e Hetimit duke i cilësuar ato në shkelje të ligjit dhe pa një shkak të ligjshëm.
Vendimi për sekuestrimin e telefonit të Ajola Xoxës është firmosur nga GJKKO pas kërkesës së bërë nga prokurori i SPAK, Olsi Dado. Mësohet se bëhet fjalë për një hetim pasuror të nisur ndaj kryebashkiakut të Tiranës dhe familjarëve të tij. Mësohet se në sitë është futur dhe kompania e të vëllait të kryebashkiakut të tij, Arbër Veliaj, dhe i kanë marrë dhe këtij të fundit telefonin.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) reagoi lidhur me kontrollet e zhvilluara në banesën e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kompaninë e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa.
Në reagim lihet të kuptohet se kemi të bëjmë me një procedim penal, por pa e sqaruar qartësisht se për çfarë hetimi bëhet fjalë. Më tej theksohet se hetimi është ende në fazë paraprake dhe nuk mund të jepen informacione të mëtejshme aktualisht.
"Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment"- thuhej në reagimin e SPAK.
Kujtojmë se kryebashkiaku është paraqitur në SPAK më 30 prill, ku qëndroi për rreth 7 orë brenda ambienteve të Prokurorisë së Posaçme. Në dalje për mediat duke i quajtur prokurorët e posaçëm “kolegë”, Veliaj mohoi që të kishte një hetim ndaj tij dhe tha se kishte shkuar si “bashkëpunëtor” për të dhënë detaje mbi çështje të caktuara./ Versus.al







