
Tiranë- Kryetari i grupit parlamentar Gazment Bardhi është paraqitur sot (24 maj) në SPAK ku është pyetur për dosjen e ‘Xibrakës”, për të cilën ligjvënësi demokrat ka akuzuar Olsi Ramën (vëllain e kryeministrit) si të përfshirë në grupin kriminal të trafikut të kokainës.
I pyetur nga gazetarët, mbi denoncimin e bërë nga Olsi Rama ndaj tij për kallëzim të rremë, Bardhi tha se vëllai i kryeministrit e kishte pranuar vetë se ishin publikuar fakte mbi përfshirjen e tij në laboratorin e kokainës në Xibrakë.
“Nuk kam asnjë informacion se për çfarë nxitet Olsi Rama nga vëllai i i tij. Nuk mund të ketë kallëzim të rremë përsa kohë shpjegimi im është cilësuar i mjaftueshëm nga prokurorët për të hapur një procedim penal.
Nëse lexzoni kallëzimin e Olsi Ramës do shikoni se nga njëra anë më akuzon mua për kallëzim të rremë dhe nga ana tjetër u thotë prokurorëve merreni dhe pyeteni se nga i ka gjetur, duke vërtetuar ato prova. Hetimi ndaj tij duhet të jetë i thelluar për ato çështje që unë e kam shprehur në SPAK për laboratorin e kokainës në Xibrakë. Kësaj nuk i ikën dot ai me letra bakalli”- u shpreh Bardhi.
Ditë më parë, Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama dorëzoi në SPAK një denoncim për Gazment Bardhin për kallëzim të rremë ndaj tij duke e akuzuar për përfshirje në laboratorin e kokainës në Xibrakë.







