Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë kërcënimet më serioze për sigurinë në Shqipëri.
Siç njofton Zëri i Amerikës, Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes publikoi këtë të mërkurë anketën kombëtare “Barometri i Sigurisë 2024”, sipas të cilit, shumica e qytetarëve mendojnë se korrupsioni është kërcënimi më serioz për sigurinë e Shqipërisë.
Nga viti në vit është rritur numri i qytetarëve që e nënvizojnë korrupsionin si kërcënimin më serioz të sigurisë. Në vitin 2024 është 45 për qind, në vitin 2022 ishte 39 për qind, ndërsa në vitin 2020 ky perceptim ishte 37 për qind. Këtë vit, afro 22.5 për qind e të anketuarve e cilësojnë korrupsionin si kërcënimin e dytë më të madh për sigurinë.
Kërcënimi i dytë më i madh i sigurisë në Shqipëri, pas korrupsionit, cilësohet krimi i organizuar nga afro 24 për qind e të anketuarve. Gjithashtu ky vlerësim është në rritje krahasuar me vitet e mëparshme, përkatësisht 19.2% në 2022 dhe 20.3% në 2020.
Qytetarët shprehin në anketë një pasiguri të ndjeshme politike, teksa pjesa dërrmuese e të anketuarve pohojnë se nuk ndihen të përfaqësuar nga Kuvendi, qeveria dhe pushteti vendor. Vetëm 8.3% e të anketuarve thanë se ndjehen të përfaqësuar nga parlamenti, 11% e tyre pohuan kështu për pushtetin qendror dhe 16% të tjerë ndjehen të përfaqësuar në qeverisjen vendore.
Shumica e të anketuarve, konkretisht 82 për qind e tyre, mendojnë se drejtuesit e qeverisë shkelin ligjin ose abuzojnë me pushtetin, dhe 71.6% e qytetarëve pohuan se krimet e kryera nga zyrtarët e qeverisë mbeten të pandëshkuara.
Një kapitull më vete anketa trajton punën e drejtësisë së re kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rreth dy të tretat thonë se SPAK-u është serioz në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vetëm rreth 18 për qind e të anketuarve mendojnë se SPAK nuk është serioz në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Zëri i Amerikës







