Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur sot me gazetarët, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta u pyet edhe lidhur me mundësinë e një koalicioni me Partinë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
Ai nuk dha detaje sa i takon mënyrës sesi do të veprohet për të hyrë në zgjedhje duke shfaqur dyshime mbi mundësinë e një koalicioni, por tha se do të studiohet mënyra më e mirë e mundshme.
“Do studiojmë të gjitha opsionet që opozita të hyjë sa më e fuqishme në këto zgjedhje. Do bëjmë çdo përpjekje të ndërtojm mekanizmin e organizimit për përballje me regjimin, duke mos patur iluzione se presim nga ky regjim kriminal standarte në zgjedhje. Për pjekja e bërë këto muaj nga bashkëpunëtorët e SPAK për të bllokuar organizimin e PL kanë marrë fund me sukses të plotë e sidomos përpjekjet për të fshehur problemet që kanë shkaktuar me menaxhimin e buxheteve të PL”- deklaroi Meta.
Ndërsa u shpreh i gatshëm për protestat e njoftuara nga PD me kërkesë kryesore formimin e qeverisë teknike.
Kreu i PL u reshtua dukshëm krah Berishës pas daljes së lajmit se ai dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi po hetohen për fshehje pasurie. Meta ka akuzuar vazhdimisht kreun e SPAK se po i shërben kryeministrit Edi Rama me qëllim asgjësimin e pluralizmit politik. Versus.al







