
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta doli në një konferencë për mediat ditën e sotme ku teksa kujtoi 20 vjetorin e themelimit të ish-LSI-së ripërsëriti akuzat ndaj bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi përsa i takon djegies së mandateve në 2019-ën.
Meta tha se Kryemadhi e kishte mashtruar duke i thënë se do e digjte vetëm ajo mandatin e saj për t’u solidarizuar me Lulzim Bashën, asokohe kryetar i PD.
“Lidhur me djegien e mandateve ka vetëm një të vërtetë që unë kam qenë kategorikisht kundër. Presidenti është mashtruar duke iu thënë se mund ta digjte vetëm ish-kryetarja për solidaritet me Lulushin. Por ja që ndodhi dhe ata që komunikuan me mua kur isha jashtë vendit, nuk ja thanë qëndrimin tim deputetëve dhe nuk më çuan asnjë mesazh për këtë vendim katastrofal. Të gjithë në atë kohë menduan që si mund ta marrë gruaja këtë vendim pa dijeninë e burrit.”- tha Meta duke ritheksuar edhe njëherë para gazetarëve se nuk ka pasur dijeni për djegien e mandateve të deputetëve.
Aktualisht Meta dhe Kryemadhi janë në proces divorci që pas krisjeve të vazhdueshme në marrëdhënien e tyre, për të cilat vetë kreu i PL tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ndarja. Versus.al







