Live Updates /

Skemë korruptive dhe abuzim me fondet e BE, pranga Beqajt dhe 2 bashkëpunëtorëve! Sekuestrohen rreth 54 mijë euro

*Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj nën masën detyrim paraqitje për koncesionin e “Sterilizimit” është arrestuar mëngjesin e sotëm me urdhër të SPAK për hetimin e nisur ndaj tij mbi abuzimin e fondeve të BE gjatë periudhës 1 vjeçare 2022-2023 kur drejtoi “SASPAC” (Agjencinë Shtetërore të Programin Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës). *Në pranga kanë rënë edhe dy bashkëpunëtorë të tij, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla. Ndërsa me urdhër të gjyqtares së GJKKO, Rudina Palloi janë caktuar edhe 4 urdhër arreste të tjerë konkretisht, “arrest shtëpie” për Elton Marinin dhe Gazment Haxhiun si dhe “detyrim paraqitje” për Bledar Lekën dhe Bjona Zijajn. *Në dosjen e siguruar nga Versus.al, zbardhen përgjimet sesi Ermal Kurtulaj, kordinator i SASPAC komunikonte me subjekte të ndryshme tregtare duke u kërkuar këtyre të fundit prerjen e faturave fiktive për institucionin ku punonte, për shërbime që këto subjekte nuk i kishin kryer.

Shkruar nga B.V

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj nën masën detyrim paraqitje për koncesionin e “Sterilizimit” është arrestuar mëngjesin e sotëm me urdhër të SPAK për hetimin e nisur ndaj tij mbi abuzimin e fondeve të BE gjatë periudhës 1 vjeçare 2022-2023 kur drejtoi “SASPAC” (Agjencinë Shtetërore të Programin Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës). *Në pranga kanë rënë edhe dy bashkëpunëtorë të tij, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla. Ndërsa me urdhër të gjyqtares së GJKKO, Rudina Palloi janë caktuar edhe 4 urdhër arreste të tjerë konkretisht, “arrest shtëpie” për Elton Marinin dhe Gazment Haxhiun si dhe “detyrim paraqitje” për Bledar Lekën dhe Bjona Zijajn. *Në dosjen e siguruar nga Versus.al, zbardhen përgjimet sesi Ermal Kurtulaj, kordinator i SASPAC komunikonte me subjekte të ndryshme tregtare duke u kërkuar këtyre të fundit prerjen e faturave fiktive për institucionin ku punonte, për shërbime që këto subjekte nuk i kishin kryer.

8 Postime
8 MUAJ ME PARE

Arrestimi i Ilir Beqajt, SPAK: Fshehu pasurinë dhe restorantin në Tiranë! Paracaktonte fituesit në tenderat e SASPAC

Skemë korruptive dhe abuzim me fondet e BE, pranga Beqajt dhe 2

Prokuroria e Posaçme (SPAK), ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e Ilir Beqajt dhe 2 bashkëpunëtorëve të tij, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla nën akuzën e abuzimit me fondet e BE-së gjatë kohës kur Beqaj ishte në krye të “SASPAC”.

Sipas SPAK, Beqaj ka kryer 8 procedura prokurimi fiktive duke paracaktuar subjektet fituese të institucionit që drejtonte gjatë vitit 2022-2023. Siç u zbërthye edhe nga dosja e siguruar nga Versus.al, këto subjekte lëshonin fatura fiktive ndaj “SASPAC” dhe pasi institucioni bënte pagesën, subjektet dorëzonin paratë dorazi tek Ermal Kurtulaj, krahu i djathtë i Ilir Beqajt ose bënin pagesa të parregullta drejt restorantit “Gzona” që dyshohet se është në pronësi të Ilir Beqajt pavarësisht se pronar me letra del Eduart Curraj.

Beqaj gjithashtu akuzohet se ka fshehur pasurinë e tij, që nga viti 2020 e në vazhdim duke mos deklaruar as automjetin me të cilin udhëtonte vazhdimisht e që rezultonte të ishte në pronësi të Ermal Kurtulajt i cili shërbente për të fshehur këto prona të ish-ministrit të Shëndetësisë. Gjatë kontrolleve që SPAK ka ushtruar në kompaninë "Albanian Food and Hospitality Lab” që dyshohet se është në pronësi të fshehtë të Beqajt, janë sekuestruar rreth 47 mijë euro dhe 700 mijë lekë.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.190, të vitit 2023. Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim me strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Në analizë të provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se:

1. Personi nën hetim I. B. në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me personin nën hetim E. K., i emëruar nga vetë personi nën hetim I. B. në datën 26.05.2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në SASPAC,  përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat “PRAG” të përcaktuara në “Rregullat e Zbatimit të Rregullores Financiare”, të aplikueshme për të gjitha kontratat e ndihmës së jashtme të BE-së të financuara nga Buxheti i Përgjithshëm i BE-së dhe Fondi i 10-të Evropian i Zhvillimit (EDF) dhe të detyrueshme për t’u zbatuar sipas nenit 5 gërma “c” të ligjit nr. 37/2015 “Për Ratifikimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Komisioni Evropian për Rregullat e Zbatimit të Mbështetjes Financiare Të BE-së për Shqipërinë, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPA II)”.

 

Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.

Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga personi nën hetim I. B. në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, i cili ka nënshkruar që nga rënia dakord për të kryer shërbimin e caktuar, tek ftesat që i’u janë dërguar subjekteve për të paraqitur oferta sipas llojit të prokurimit, tek urdhri për ngritjen e komisionit për të kryer vlerësimin e ofertave, tek shkresa që i është dërguar fituesit pas vlerësimit deri tek lidhja e kontratës, dokumenta këto të hartuara, plotësuara dhe nënshkruara kohë më pas, nga lidhja dhe zbatimi i kontratës.

Në lidhje me këto kontrata shërbimi është konstatuar:

Së pari: Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas  çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “L…… International” sh.p.k me Ortak e Administrator personi nën hetim G. H. dhe Drejtor Ekzekutiv personin nën hetim A. N.

I vetmi shërbimi i ofruar në kuadër të këtij eventi nga kjo shoqëri tregtare është organizimi i darkës, e cila është organizuar nga shoqëria tregtare “A….. F….. and H….. Lab” sh.p.k, njohur si restorant “Gzona” në një vlerë prej 4.189.000 lekë.

Së dyti: Personat nën hetim i kanë kryer vetë shërbimet (me shpenzime shumë herë më të ulta) duke i prokuruar më pas tek persona të tjerë juridikë “N. S. Int” sh.p.k me Ortak e Administrator personin nën hetim E. M. dhe personin nën hetim B. Z.  për qëllime të përfitimit material;

Së treti: Shoqëritë tregtare të kontraktuara për organizim të eventeve kanë dhënë përfitim të parregullt në formën e blerjeve të shërbimeve tek restoranti “GZONA”, apo të kryera në formën e pagesave nëpërmjet personave fizik të tjerë, me qëllim përvetësimin fundor nga personat nën hetim I. B. dhe E. K.

Së katërti: Në rastet kur projektet e monituara nga SASPAC-u kanë prokuruar shërbime nën vlerën 2.500 euro, ku sipas rregullave “PRAG” realizohen vetëm me pranim fature, duke rezultuar vetë, si blerës direkt të shërbimeve me objekt shërbim kateringu ata kanë kryer veprime për fshehjen e përfituesit direkt.  Ata e kanë faturuar këtë shërbim tek persona fizik të tjerë me të njëjtin objekt veprimtarie, në një kohë që shërbimi është ofruar nga restorant “Gzona”. Këto veprime janë kryer me qëllim fshehjen e lidhjes së personave nën hetim I. B. e E. K. me restorantin “G…..”.

2. Personi nën hetim I. B. dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi restorantin “Gzona” me adresë pranë Kalasë Tiranë, që nga krijimi e deri në vazhdim. Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masës 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020 duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim Ilir Beqaj i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un.

Personi nën hetim I.B. dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 në shoqëri të paktën shumën prej 21.411 euro dhe 4.666.110  lekë, në formën e blerjeve të pajisjeve (aseteve) dhe në shumën 34.783 Euro në formën e shpenzimeve si qira e të tjera, duke mos i deklaruar ato si hua ndaj shoqërisë. Interesat pasurore të tij mbi këtë restorant i ka ushtruar nëpërmjet personit nën hetim E. K., i cili ka administruar ato, duke qenë i punësuar në këtë restorant që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore.

Personi nën hetim I.B. ka fshehur edhe pasurinë e luajtshme automjet me targë AB ….. DE blerë në vitin 06.09.2019, në emër të personit nën hetim E. K.

Pas kryerjes së shumë veprimeve hetimore si dhe administrimit të provave Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masave të sigurimit personal në ngarkim të personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime në kuadër të këtij procedimi.

Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024 ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për tre persona nën hetim; masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për dy persona nën hetim; si dhe masën e sigurimit së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, për dy persona të tjerë nën hetim, të  dyshuar për kryerje të veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publikë”, parashikuar nga neni  245 i Kodit Penal, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni  257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrimi” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.

Nga ana e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani gjashtë masa sigurimi personal për personat nën hetim, ndërkohë që po kryhen veprime për ekzekutimin e masës për personin tjetër nën hetim.

Gjatë hetimeve janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe në njërën nga zyrat e shoqërisë tregtare ku janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma parash prej afro 47. 000 euro dhe 700.000 lekë, aparate telefoni me interes për  hetimin etj.

Hetimet vazhdojnë në lidhje me grumbullimin dhe sigurimin e provave për persona të tjerë të përfshirë në këto veprime, si dhe për fakte të tjera penale të lidhura me kontrollet e ushtruara në datën 28 dhjetor të vitit 2023.

Masa sigurie për këtë çështje hetimore janë lëshuar edhe për katër persona të tjerë të cilët akuzohen si bashkëpunëtorë të ish-ministrit Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulajt e Alfred Nikollës në skemën me fatura fiktive të paguara nga “SASPAC”. Mësohet se pas kontrolleve në banesa, me urdhrin e firmosur nga gjyqtarja e GJKKO, Rudina Palloi janë firmosur masat e sigurisë “arrest shtëpie” për Gazment Haxhian dhe Elton Marinin si dhe detyrim paraqitje për Bledar Lekën dhe Bjon Zijajn të cilët dyshohen se si përfaqësues të subjekteve të ndryshme tregtare, bashkëpunuan me Ermal Kurtulajn për të lëshuar fatura fiktive ndaj “SASPAC” për shërbime që nuk i kishin kryer kurrë. Versus.al

8 MUAJ ME PARE

“Ta bëjmë faturën 20 mijë”, Ermal Kurtulaj “dirigjenti” i abuzimeve të Beqajt me fondet e BE dhe fshehjen e pasurisë së ish-ministrit

Skemë korruptive dhe abuzim me fondet e BE, pranga Beqajt dhe 2
Ermal Kurtulaj, Ilir Beqaj

Ermal Kurtulaj rezulton të jetë personi “kyç” në skemën korruptive të ngritur nga ish-ministri Ilir Beqaj për abuzimin me fondet e BE-së gjatë kohës kur drejtonte SASPAC (Agjencinë Shtetërore të Programin Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës) që menaxhonte fondet e BE.

Në hetimet për dosjen, Kurtulaj shfaqet pothuajse në të gjitha përgjimet e realizuara ku firma e tij është kyç për kryerjen e pagesave fiktive ndaj kompanive të ndryshme për shërbime që nuk i kishin kryer dhe më pas tërheqjen dorazi të këtyre pagesave duke u takuar me përfaqësues të subjekteve tregtare.

Në përgjimet e zbardhura, Kurtulaj telefonin pronarë të subjekteve të ndryshme me të cilët kishte njohje duke u kërkuar që të regjistronin fatura fiktive për shërbime të pakryera ndaj agjensisë së drejtuar nga Beqaj. Kurtulaj shfaqet në përgjime teksa në liri të plotë ka raste kur kërkon edhe ndryshimin e vlerës së faturave fiktive, si në këtë episod të përmendur në dosje kur teksa flet me Bledar Lekën ndaj të cilit, është caktuar masa “detyrim paraqitje”, i kërkon këtij të fundit që kompania e tij “Citrus Consultancy” të lëshojë faturë fiktive por ta ndryshojë nga 15 mijë në 20 mijë euro si shumë për shërbime të pakryera.

“Nga bisedat kuptohet se shtetasi Ermal Kurtulaj i kërkon shtetasi Bledar Leka që të bëjë njëcik sot atë faturën". Shtetasi Ermal Kurtulaj në bisedë i thotë se do ta coj niptin, done coj me foto dhe te kontratat se ca përshkrimesh, si do e shkruajmë etj., duke krijuar, kështu dyshimet mbi lëshim fature fiktive për punime/shërbime të pakryera. Po kështu, në një tjetër bisedë, Ermal Kurtulaj e pyet këtë shtetas "atë tënden nga 15 po ta bëjmë 20 e bën dot ti upo jo?....e pastaj hë se dum ta bejm 20 që tkena mundsin per me mbyll ca gjona tjetra me atë meqënëse ti je pa TVSH apo jo?". Po ashtu në vijim ata kanë patur biseda të tjera në datën 21.11.2023 dhe më pas në datën ku i kërkohet Bledarit të lëshojë një faturë tjetër "Ke hapsire per tho i gjo nja 900 Euro sherbim konsulence pagese KESH"" të cilën më pas e ka lëshuar një subjek! tietër për të cilët do të ketë referim më poshtë kërkesës”- thuhet në dosjen e SPAK.

Por kjo nuk është e gjitha, pasi në dosjen e siguruar nga Versus.al rezulton se Kurtulaj dhe Beqaj janë bashkëpronarë të një restoranti të regjistruar me emrin “Gzona” pavarësisht se subjekti ka si pronar në letra Eduart Currajn me administrator Gazment Prengën. Sipas SPAK restoranti “Gzona” brenda në Kalanë e Tiranës ndonëse ka për administrator emër tjetër është pronë e fshehur e Beqajt.

Restoranti është me emrin tregtar kompania “Albanian Food and Hospitality Lab”. Në këtë biznes ka qenë me herët aksioner Ilir Beqaj dhe bashkëshortja e tij Adriana Beqaj.

Në dosje, janë publikuar bisedat që Beqaj ka bërë me Kurtulajn për restorantin Gzona në Kalanë e Tiranës.

Keto dyshime lindin edhe nga biseda e realizuar nẽ datên. 14.12.2023, 11:33, midis Ermal Kurtulaj dhe numrit të telefonit që i përket shoferit të Beqajt, Arben Danit por në këtë bisede flet Ilir Beqaj.

 Përgjimet mes Beqajt dhe Kurtulajt:

A (Ermali)

B (Beqaj):

A: Udhëro, alo?

B: Ç’është ky mor burrë aneksi 8?

A: Me ngjon?

B: (Një person tjetër futet ne bisedë: “Po, po”)…

A: Aty, aty e kisha t regjistruar me aneksi 8 un ktë.

B: Po mir po po të them kërkohet i tabelë me investime tani sikur se si ca kërkohet, futja

A: Unë e pash atë dosjen që kishte dhe shkruante aneksi 8 dhe e nxora.

B: Ca kërkohet vlla, ti e di ca kërkohet pse ia fut kot?

A: Po mir okej.

B: Tabelën e kemi likuidim si quhet aneksi 8 ku e di un tashi duhet ta gjejmë se ku është, oferta nuk ka rendesi degjo.

A: Po pra po

B: I thuj nëqoftëse mundet nga ora 4 e mbrapa kur te doje.

A: Nga ora 4 e mbrapa?

B: Po, nëqoftese mundet.

A: Mir, po Gazin?

B: Gazi, pra Gazi po t them.

A: A per Gazin se se dëgjova fjalen prandej mendova, mirë ne rregull atëherë.

B: Tjetri po ashtu.

A: Edhe ai tjeteri po ashtu.

B: Po

A: Mire atëherë okej ne rregull pra

B: Po sido qoftë flasim dhe bashkë n’darkë.

A: Ne 4?

B: Po

Sipas hetimeve të SPAK rezulton se Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me ish-ministrin Ilir Beqaj të cilat datojnë që në kohën kur Beqaj ka qenë ortak i shoqërisë Intech+ duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikeqyrës ka qenë vetë shtetasi Ilir Beqaj dhe më pas më krijimin e kësaj agjencie, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point.

Gjithashtu rezulton se Beqaj përdor shpesh automjetin e Kurtulajt për të lëvizur brenda dhe jashtë vendit, duke ngritur dyshimet se kjo mund të jetë pasuri e fshehur e vetë ish-ministrit.  

Lidhur me hetimin e nisur nga SPAK një vit më parë për abuzimin me fondet e BE-së, janë ngritur akuza për disa vepra penale të kryera, si penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike", parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, "Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike", parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal dhe "Refuzimi për deklarimin, mos deklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim". Versus.al

8 MUAJ ME PARE

E përmendën si një prej të arrestuave me Beqajn, reagon ish-ministri: Lajm i rremë! Do ndjek rrugë ligjore

Skemë korruptive dhe abuzim me fondet e BE, pranga Beqajt dhe 2
Ish-ministri Albert Nikolla

Albert Nikolla, ish-ministër i Shëndetësisë nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale ka denoncuar një “lajm të rremë” lidhur me përmendjen e emrit të tij si një ndër të arrestuarit për çështjen e abuzimit të Ilir Beqajt me fondet e agjensisë “SASPAC” që menaxhonte ndihmat e BE.

Nikolla në rrjetet sociale ka informuar të afërmit e tij se nuk është arrestuar dhe se bëhet fjalë për person tjetër në lajmin e publikuar nga portal “Balkanweb”. Më tej ai ka njoftuar se do ndjekë hapat ligjorë për përmendjen e emrit të tij në këtë çështje.

“Agjencia e lajmeve Balkanëeb.com ka botuar një lajm të rremë që cënon rëndë dinjitetin tim. Dua të qetësoj të afërmit e mij, miqtë e gjithë dashamirët se lajmi është i RREMË, por me sa duket i bërë qëllimisht nga dashakeqët! Autorja e shkrimit është Klodiana Lala. Do të ndjek të gjithë hapat ligjorë përballë kësaj situate!”- shkruan Nikolla në reagimin e tij. Versus.al

Skemë korruptive dhe abuzim me fondet e BE, pranga Beqajt dhe 2
Postimi i Nikollës në Facebook

8 MUAJ ME PARE

Lëshuan fatura fiktive për "SASPAC", zbardhen masat e sigurisë ndaj të përfshirëve në dosjen e Ilir Beqajt

Skemë korruptive dhe abuzim me fondet e BE, pranga Beqajt dhe 2

Versus.al ka mësuar emrat e personave të tjerë të përfshirë në dosjen e hetimit ndaj ish-ministrit Ilir Beqajt për abuzim me fondet e Bashkimit Europian.

Përveç bashkëpunëtorëve të Beqajt nga agjencia “SASPAC”, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla të cilët janë arrestuar, GJKKO ka caktuar masë “arrest shtëpie” për Gazment Haxhian dhe Elton Marinin.

Ndërsa është caktuar masa "detyrim paraqitje" për Bledar Lekën dhe Bjona Zijajn të cilët dyshohet se nëpërmjet subjekteve të tyre tregtare kanë lëshuar fatura fiktive për Agjencinë “Saspac”. Ata shfaqen edhe në dosjen e hetimeve ku janë zbardhur disa përgjime nga biseda të tyre me Ermal Kurtulajn, krahun e djathtë të Ilir Beqajt. Versus.al

8 MUAJ ME PARE

Arrestimi i Beqajt për abuzim me fondet e BE, socialistët nuk japin komente! Braçe: Peshorja ka humbur ekuilibrin

Skemë korruptive dhe abuzim me fondet e BE, pranga Beqajt dhe 2

Deputetët socialistë refuzuan të jepnin komente për arrestimin e ish-ministrit Ilir Beqaj nën akuzën e abuzimit me fondet e BE-së. Të pyetur nga gazetarët teksa hynin në seancë plenare, të paktë ishin ata që denjuan të jepnin ndonjë koment, edhe atë herë duke u shprehur se nuk komentonin veprimet e drejtësisë.

Ndërsa deputeti Erion Braçe u ndal para gazetarëve për të folur lidhur me arrestimin e Beqajt, duke thënë se pavarësisht kësaj, ende nuk ka përgjegjës për ngjarje si 21 janari apo tragjedinë e Gërdecit.

“Video me pranga në duar nuk është argument. Përsa kohë që bëhet fjalë për vjedhje, duhet të shohim një informacion më të zgjeruar që të kuptojmë çfarë ka ndodhur realisht. Reforma në drejtësi për këtë u bë për të referuar prova për zyrtarë të caktuar pavarësisht fuqisë politike.

Por ende nuk ka asnjë përgjegjës për 21 janarin, për Gërdecin ku u vranë njerëz dhe nuk janë vjedhur vetëm para. Në momentin që flitet se ka abuzime me fondet, kjo gjë duhet parë seriozisht. PS duhet të mbajë një përgjegjësi morale të cilën po e mban. Peshorja ka humbur ekuilibrin përsa kohë që në këtë vend merren jetë njerëzisht dhe nuk merrem masa. Kostoja do merret kur të paraqitemi në garë elektorale”- tha mes të tjerash Braçe. Versus.al

8 MUAJ ME PARE

“Më thuaj shpejt, se po ikën Iliri”, përgjimet që fundosën Beqajn! “Financieri” i tij drejtonte skemën e abuzimit me fondet e BE

Skemë korruptive dhe abuzim me fondet e BE, pranga Beqajt dhe 2

Versus.al ka siguruar pjesë nga dosja e hetimeve për abuzimin me fondet e “SASPAC” që solli më pas arrestimin e ish-ministrit Ilir Beqaj dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla.

Ermal Kurtulaj koordinator në agjencinë e menaxhimit të ndihmave të BE që drejtonte Ilir Beqaj, shfaqet në përgjime teksa komunikon me subjekte të ndryshme tregtare të cilave u kërkon prerjen e faturave fiktive për “SASPAC” për shërbime që ato nuk i ofrojnë dhe më pas tërheqjen e këtyre parave nëpërmjet bankave.

Kurtulaj i telefon një personi të identifikuar si Genci Shurdho dhe i kërkon t'i faturojë atij një pagese prej rreth 35,200 Euro për një sherbim që dyshohet se nuk ështe kryer.

“Nga komunikimet e numrit të telefonit në përdorim të tij rezulton se në datën 02.08.2023 ka kryer nje telefonatë me numrin e telefonit 068******* (identifikuar se Genci Shurdho) nëpërmjet së cilës shtetasi i identifikuar si Ermal Kurtulaj i kërkon atij t'i faturojë atij një pagese prej rreth 35,200 Euro për një shërbim që dyshohet se nuk është kryer. Në ketë bisedë Ermal Kurtulaj i kërkon që Genci të pyesë ekonomistin e vet dhe t'i kthejë përgjigje shpejt sepse, sic shprehet "Po in duhet me mu kthy i pergjigje tashi shpejt qe ta di se duhet, iken Iliri dhe duhet të firmos ca letra pranej po t them.". Nga kjo pjesë bisede krijohet dyshim se fatura do të jetë thjesht fiktive për të justifikuar shpenzimin e shumës në fature (35,200 Euro)”- thuhet në një pjesë të hetimeve për çështjen.

Në dosjen hetimore theksohet se Genci Shurdho nuk ka mundur të lëshojë faturën e kërkuar dhe fatura është lëshuar nga Elton Marini. Fatura rezulton të jetë fiktive e bazuar në bisedat që ka zhvilluar Genci Shurdho me Kurtulajn. Ky i fundit i ka kërkuar Elton Marinit një firmë tjetër dhe sipas hetimeve, ata janë takuar fizikisht me njëri-tjetrin për të diskutuar për procedurat. Versus.al

8 MUAJ ME PARE

VIDEO/ Me pranga në duar dhe kokëulur, momenti kur Ilir Beqaj mbërrin në komisariat

Skemë korruptive dhe abuzim me fondet e BE, pranga Beqajt dhe 2
Ilir Beqaj me pranga në duar

Versus.al ka siguruar pamjet e momentit kur ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ka mbërritur në komisariatin e Tiranës pasi u arrestua me urdhër të SPAK për abuzim me fondet e “SASPAC” drejtorin e menaxhimit të ndihmave të huaja, të cilën e drejtoi për rreth 1 vit.

Me pranga në duar dhe kokëulur, Beqaj shihet teksa hyn në ambientet e komisariatit.

Arrestimi i tij mësohet se është bërë rreth orës 07:50 të mëngjesit të sotëm. Gjithashtu me urdhër të SPAK u arrestuan edhe 2 bashkëpunëtorë të tij, Ermal Kurtulaj, koordinatori i “SASPAC” i cili dyshohet si pjesë kyç e skemës të Beqajt për pastrim parash dhe fatura fiktive me kompani që i zotëronte vetë ai. Kurtulaj firmoste të gjitha fondet që vinin në formë ndihme nga BE. Po ashtu firmoste për fatura fiktive ndaj kompanive të caktuara me arsyetimin se kishin organizuar evente për agjencinë ndërsa më pas paratë i tërhiqte nga banka.

Masa sigurie për këtë çështje hetimore janë lëshuar edhe për katër persona të tjerë të cilët akuzohen si bashkëpunëtorë të ish-ministrit Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulajt e Alfred Nikollës në skemën me fatura fiktive të paguara nga “SASPAC”. Mësohet se pas kontrolleve në banesa, me urdhrin e firmosur nga gjyqtarja e GJKKO, Rudina Palloi janë firmosur masat e sigurisë “arrest shtëpie” për Gazment Haxhian dhe Elton Marinin si dhe detyrim paraqitje për Bledar Lekën dhe Bjon Zijajn të cilët dyshohen se si përfaqësues të subjekteve të ndryshme tregtare, bashkëpunuan me Ermal Kurtulajn për të lëshuar fatura fiktive ndaj “SASPAC” për shërbime që nuk i kishin kryer kurrë. Versus.al

8 MUAJ ME PARE

Arrestohet ish-ministri Beqaj dhe 2 bashkëpunëtorët e tij! Abuzuan me fondet e agjencisë që koordinonte ndihmat e BE

Skemë korruptive dhe abuzim me fondet e BE, pranga Beqajt dhe 2

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ndaj të cilit SPAK kishte caktuar masën “detyrim paraqitje” nën dyshimet e shpërdorimit të detyrës për koncesionin e Sterilizimit, është arrestuar mëngjesin e sotëm.

Burime për Versus.al bëjnë me dije se arrestimi i Beqajt ka ardhur pas mbylljes së hetimeve për një tjetër aferë për të cilën ai akuzohej, atë të abuzimit me fondet e “SASPAC”, agjencisë për menaxhimin e fondeve të huaja të cilën Beqaj e drejtoi për rreth një vit.

Në pranga kanë rënë edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla të cilët akuzohen po ashtu për abuzime me fondet e kësaj agjencie. Pas publikimit të lajmit, ka pasur edhe një reagim nga ana e SPAK.

"Duke marrë në konsideratë kërkesat tuaja për informacion lidhur me arrestimin e shtetasit Ilir Beqja, ju konfirmoj se, sot është kryer arrestimi e këtij shtetasi në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për një informacion më të plotë, SPAK do te vijojmë më pas me një njoftim zyrtar për shtyp"- njofton Prokuroria e Posaçme.

Urdhrër arrestet janë firmosur nga prokurorët Altin Dumani dhe Elida Kaçkini. Masa sigurie për këtë çështje hetimore janë lëshuar edhe për katër persona të tjerë të cilët akuzohen si bashkëpunëtorë të ish-ministrit Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulajt e Alfred Nikollës në skemën me fatura fiktive të paguara nga “SASPAC”. Mësohet se pas kontrolleve në banesa, me urdhrin e firmosur nga gjyqtarja e GJKKO, Rudina Palloi janë firmosur masat e sigurisë “arrest shtëpie” për Gazment Haxhian dhe Elton Marinin si dhe detyrim paraqitje për Bledar Lekën dhe Bjona Zijajn të cilët dyshohen se si përfaqësues të subjekteve të ndryshme tregtare, bashkëpunuan me Ermal Kurtulajn për të lëshuar fatura fiktive ndaj “SASPAC” për shërbime që nuk i kishin kryer kurrë.

Ilir Beqaj ka mbajtur postin e ministrit të Shëndetësisë gjatë mandatit të parë të qeverisë së PS gjatë viteve 2013-2017. Ndërsa në nëntor të vitit 2022 u emërua drejtor i "SASPAC" (Agjencisë Shtetërore të Programin Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës nga BE). Në nëntor të vitit të kaluar dha dorëheqjen nga posti pasi u mor nën hetim nga SPAK për aferën e koncesionit të Sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10 vjeçar për të cilën është arrestuar zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrepaj. Bashkangjitur me Sterilizimin, SPAK nisi edhe hetimet për abuzimet e Beqajt me fondet e agjencisë që drejtoi për më pak se një vit. Versus.al

Poll