Këngëtarja ruan ende privatësinë: portreti i Tedit mbetet “mister”, por dashuria shihet qartë në sy
Pas një dasme elegante dhe diskrete, e mbajtur larg zhurmës mediatike, Besa Kokëdhima ka ndarë më në fund fotografinë e parë me partnerin e saj, Tedin, tashmë bashkëshortin e saj.
Në një postim në Instagram Story, këngëtarja e njohur shqiptare shfaqet me një buzëqeshje të qartë lumturie, teksa mban dorën e Tedit në një çast të ngrohtë pas celebrimit. Syri i aparatit kap vetëm një pjesë të portretit të partnerit të saj, duke ruajtur kështu edhe më tej misterin që e ka shoqëruar gjithmonë këtë marrëdhënie.
Ndërsa shumë fansa prisnin një prezantim më të plotë të “princit” që i rrëmbeu zemrën Besës, këngëtarja zgjedh sërish të ruajë një ekuilibër mes dashurisë dhe privatësisë, një qasje që e ka karakterizuar prej vitesh.
Tedi Tase, i njohur si menaxheri dhe partneri i saj prej kohësh, është figura që qëndron prapa shumë prej sukseseve të Besës në karrierë. Çifti u martua në mes të shtatorit në një ceremoni të rezervuar për miq të afërt dhe familje, ku ndriçimi, muzika live dhe eleganca mbizotëronin, por pa praninë e mediave apo fotove publike.







