Nëse jeni në Knokke-Heist (qytet bregdetar shumë i njohur dhe shumë i pasur në veriperëndim të Belgjikës) dhe kaloni pranë hotelit luksoz La Réserve, sytë tuaj nuk do të mund të shmangin pamjen mahnitëse të një Bugatti Chiron Super Sport, e cila është ekspozuar që prej të mërkurës në ambientet e këtij pesëyjesh.
Vlera e këtij supermakine? Plot 7 milionë euro, duke e bërë automjetin më të shtrenjtë që është ekspozuar ndonjëherë në këtë hotel prestigjioz.
Bugatti ka zëvendësuar një Bentley, që qëndroi për tre muaj në tarracën panoramike të hotelit. Më herët këtë vit, një Ferrari i kuq flakë kishte tërhequr vëmendjen në të njëjtën hapësirë ekspozimi
Tani është radha e Bugatti Chiron Super Sport, një makinë ultra e rrallë, e njohur në botën e automobilizmit për aftësinë që ka për të arritur deri në 440 km/h.
“Kjo është makina më e shtrenjtë që kemi pasur ndonjëherë në hotel”, konfirmoi drejtori i përgjithshëm i La Réserve, Yannick Bouts.
Makina është vënë në dispozicion nga pronari i saj për një kohë të kufizuar, ndaj dashamirët e makinave kanë një mundësi të rrallë për ta parë nga afër.
Ajo që e bën ekspozitën edhe më tërheqëse është se nuk është e nevojshme të jesh klient i hotelit për të parë këtë perlë automobilistike. Nga parkingu i La Réserve, çdo kalimtar apo vizitor mund të hyjë në Signature Room dhe të admirojë nga afër këtë simbol të luksit dhe inxhinierisë ekstreme.







