Mes deputetëve të Rithemelimit ka pasur edhe qëndrime kundër bojkotit të opozitës sa i takon pjesëmarrjes në Komisionin e Posaçëm që pritet të ngrihet nesër në Kuvend në kuadër të rezolutës antikorrupsion që u votua të hënën.
Ndër zërat që janë shprehur kundër bojkotit ka qenë deputetja Dhurata Çupi sipas të cilës, opozita nuk duhet ta lërë bosh vendin e saj në komision.
“Asnjë vend bosh që i takon opozitës nuk duhet të lihet bosh, por do të respektoj vendimin e grupit”- u shpreh Çupi ndër të tjera.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi e cilësoi rezolutën antikorrupsion si “propagandë” nga ana e qeverisë.
“Më gjeni një rast kur Rama ka drejtuar gishtin ndaj një të korruptuari dhe ka thënë do ta largoj nga puna se është i korruptuar. Ndërkohë, çdo aferë për korrupsion të denoncuar nga opozita me fakte i ka dalë për zot. Rasti është ky. Prandaj s’jemi bërë pjesë e këtij procesi, duke ritheksuar se ka mungesë vullneti nga mazhoranca dhe është propagandë dite për të mbuluar fytyrën e zezë nga korrupsioni të Ramës. Ne jemi për luftë pa kompromis ndaj komisionit, luftë reale jo luftë me fjalë. Nëse dëgjoni që thotë do luftoj korrupsionin, prisni edhe një aferë më të madhe në ditët në vijim”- tha Bardhi.
Deputetë të tjerë mbajtën të njëjtin qëndrim me Bardhin duke e konsideruar bojkotin e komisionit si veprimin e duhur.
Luan Baçi: Më duket një farsë rezoluta antikorrupsion. Një mazhorancë e korruptuar prej 12 vitesh dhe me një copë letër kërkon të pastrojë veten. Personalisht jam kundër.
Tomorr Alizoti: Diskutojmë me grupin. A është gabim bojkoti? Opozita nuk po gabon, është ekselent.
Ervin Salianji: Për mua nuk duhet të kemi asnjë pjesëmarrje në një komision që u bë në mënyrë të njëanshme, që u propozua si platformë elektorale nga Rama. Është hedhje hi sysh për qytetarët dhe ndërkombëtarët në gjithë situatën që ndodhen sot. Të besosh që Edi Rama, që ka ngritur një sistem korrupsioni dhe krimi të ngritur në piedestal dhe të future në institucionet më të rëndësishme, ka ndonjë merak për reformë. Nuk besoj që PD dhe opozita mund të përdoret si instrument për të luftuar SPAK nga Edi Rama. Ky është komision propagandistik. Nuk është bojkot, ne kemi marrë pjesë në reformën në drejtësi, në reformën territoriale.
Ferdinand Xhaferri: Gabimi fatal dhe shkrija e opozitës do të thotë marrja pjesë në komision. E vetmja kartë që e diskrediton këtë qeveri është korrupsioni.
Deputetët e Rithemelimit bojkotuan edhe votimin që u bë në seancën e të hënës për nismën e qeverisë me rezolutën antikorrupsion që sipas socialistëve do të bëjë të mundur përafrimin e legjislacionit të vendit me atë të BE.







