
Këngëtari i njohur Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti, pritet të dalë sot para trupit gjykues, pas arrestimit të tij dy ditë më parë në lidhje me një incident pranë zyrave të studios “Onima”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj tij, pas ndalimit një ditë më parë nën dyshimin për “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi”, incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje për një borxh paraprak. Gjesti, me armë në dorë, ka shkuar në zyrat e studios dhe ka kërkuar të dëmtuarin E.Sh., duke iu drejtuar stafit me fjalët “ku o se kam me vra”.
Pasi nuk e ka gjetur të dëmtuarin, këngëtari ka shkaktuar dëme materiale në studio, duke thyer kompjuterë, tavolina dhe xhama. Kur policia ka arritur në vendngjarje, Gjesti është gjetur me armë në dorë, e cila iu është sekuestruar.
Vendimi i Gjykatës për masën e sigurisë ndaj këngëtarit pritet të bëhet i ditur sot, ndërsa incidenti ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe publikut.

