
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Lista”, si rezultat i kontrolleve sistematike dhe punës intensive operative për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për veprimtari të ndryshme kriminale. Gjatë operacionit u ndaluan 5 shtetas, të dyshuar për vjedhje me dhunë, vjedhje, falsifikim kartëmonedhash dhe dhunë në familje.
Grabitje me dhunë ndaj shitësit
Shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 6 dhe Nr. 3, në kuadër të operacionit “Reaction”, kapën G. L., 35 vjeç, person me precedent të theksuar penal në fushën e vjedhjes.
Ai dyshohet se më 14 dhjetor 2025, në bashkëpunim me shtetasit M. A. (i arrestuar menjëherë pas ngjarjes) dhe E. H. (ende në kërkim), ka dhunuar një shitës për t’i vjedhur një shumë parash.
Po ashtu, nga hetimet ka rezultuar se më 26 dhjetor 2025, ai ka kryer edhe një vjedhje tjetër në një subjekt tregtar. Policia vijon punën për kapjen e bashkëpunëtorit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera.
Falsifikim kartëmonedhash
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ndaluan A. P., 20 vjeç, i cili dyshohet se në bashkëpunim me 4 shtetas të tjerë të arrestuar më herët, është përfshirë në falsifikimin dhe shpërndarjen e kartëmonedhave.
I dënuar për vjedhje kapet pas shpalljes në kërkim
Shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 2 dhe Nr. 3 kapën Sh. C., 49 vjeç, i dënuar nga Gjykata me 8 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”.
Shtetas gjeorgjian në pranga për vjedhje
Në një tjetër rast, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 ndaluan T. P., 41 vjeç, shtetas gjeorgjian, i cili dyshohet se më 13 janar 2026 ka vjedhur një shumë parash në një tabakino në Tiranë.
Dhuna në familje – arrestohet 33-vjeçari
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapën M. L., 33 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij.

