Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi për një muaj paraburgim për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin të cilët dyshohen për spiunazh në dëm të Kosovës, ndërsa Qerimi dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.
“Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të jenë të paarritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes, po ashtu gjykata vlerësoi se nëse të pandehurit do të jenë në liri mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale ose do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale”.
Besnik Berisha dhe Arbënora Shefkiu, avokatë të të dyshuarit Bedri Shabani, kanë mohuar se klienti i tyre është i përfshirë në çështje të spiunazhit. Ata e kanë quajtur spektakël arrestimin e klientit të tyre ndërsa kanë thënë se prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë të vetme në seancën dëgjimore që u mbajt të enjten në Gjykatën Themelore të Prishtinës kur është caktuar masa e paraburgimit.
“Prokuroria për bindjen time ka dështuar, prokurori spektakël ka manifestuar, e ftova sot publikisht ne seancë, thash urdhëro qoftë edhe një fjalë apo një fjali që e bën Bedri Shabanin spiun në Serbi atëherë në do të kërkojmë falje, ky do të shkojë në paraburgim dhe gjithçka do ta mbyllim këtu”, tha avokati Berisha.
Avokatët e Bedri Shabanit konfirmuan se klienti i tyre është dëshmitar në një nga rastet e Gjykatës Speciale në Hagë.
“Sipas tij është dëshmitar në prokurori, nuk e di se për cilin rast sepse janë disa raste, dhe nuk e di nëse ka ndonjë cilësi tjetër përpos se është dëshmitar. Kjo është çfarë ne e dijmë, sipas tij është publik, ka refuzuar të ketë mbrojtje apo masa për mbulimin e identitetit të tij”, shtoi Berisha.
Për materialet e sekuestruara nga policia, Berisha tha se asnjë prej tyre nuk i përkasin Bedri Shabanit. Ndërsa avokati i të dyshuarit tjetër, Muharrem Qerimi nuk është deklaruar për media.







