
Fier- Një efektiv policie dhe 3 kushërinj të tij janë arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Fier-Berat) nën akuzë për prodhim dhe shitje droge.
Në pranga ka rënë polici Lorenc Gropa ndërsa janë arrestuar edhe Klevis Gropa, Ledjon Gropa, Skerdilajd Levendi. Shitja e drogës realizohej në ambientet e një bar kafeje në Patos.
Mësohet se veprimtaria kriminale u zbulua nga një agjent i infiltruar i cili kishte shkuar në lokal dhe kishte kërkuar të blinte drogë.
Gjatë kontrollit të bërë në banesën e efektivit të policisë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një qese me pluhur të bardhë, në dukje lëndë narkotike e llojit kokainë me peshë rreth 41,25 gr, 2 cigare me lëndë narkotike hashash, 2 peshore për peshimin e lëndës narkotike, një armë zjarri tip TT, një armë zjarri e llojit Karabinë dhe 11 aparate celularë.
Të afërmit e tij Klevis Gropa dhe Ledjon Gropa dyshohet se bashkëpunonin për shitjen e drogës në Patos. Skerdilajd Levendi u arrestua pasi në telefonin e tij u gjetën mesazhe që provonin përfshirjen e tij në trafikun e armëve.







