
Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka njoftuar se do të jetë pjesë e protestës së thirrur nga opozita më 7 tetor, por shtoi se nuk është në dijeni të skenarëve për protestat.
I thirrur në një intervistë Duka u shpreh se mosbindja civile nuk është ajo që po ndodh në Parlament por është mospagimi i taksave, bllokimi i rrugëve, e tjerë.
“Mosbindja civile është mospagimi i taksave, bllokimi i rrugëve, aeroporteve etj. Por çështja është: a ka njerëz të gatshëm të bëjnë këtë punë? Mosbindje civile nuk është ajo që po ndodh në sallën e Kuvendit, apo djegia e disa karrigeve”, tha Duka.
I pyetur nëse mund të ketë një 21 janar më 7 tetor, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste u shpreh se nuk e uron një gjë të tillë por edhe mund të ketë pasi sipas tij njerëzit nuk dalin për liderin por dalin për pakënaqësitë e tyre.
“Nuk uroj të ketë, por edhe mund të ketë. Nuk dalin njerëz për liderin, dalin dhe për pakënaqësitë e tyre”, theksoi ai.
Ai tha se gjithçka do të varet nga protesta e 7 tetorit, duhet parë mbështetja popullore, sa njerëz do të jenë në protestë, dhe si mund të precipitojë ato.
Ndër të tjera ai tha se këtë radhë mund të ketë një reagim të fortë, edhe pse shprehu dyshime lidhur me atë që sa opozita mund të arrijë të thithë masat.
“Kemi 12 vjet që rrimë në këmbë, duke iu referuar kështu protestave që janë organizuar nga opozita përgjatë 3 mandateve të Edi Ramës”, tha ai.
Duka u shpreh se nga sondazhet e fundit mazhoranca është në rënie, por duhet që këto vota të thithen nga opozita.
“Ne duhet të dalim me figura të reja për qeverisjen, duhet të kemi njerëz të rinj, duhet ti promovojmë”, tha Duka në emisionin “Kjo Javë” në News24.
Më 21 janar 2011, opozita e atëhershme, sot në qeveri protestoi para Kryeministrisë.
Protesta degradoi në dhunë dhe përplasje ndërsa nga brenda Kryeministrisë u hap zjarr duke sjellë edhe bilancin tragjik me katër viktima.
Tubimi ndodhi pas publikimit të një video, ku Ilir Meta atë kohë zëvendës kryeministër, në qeverinë Berisha shfaqej me një bllok të zi në dorë, duke bërë pazare me ish-ministrin e ndjerë Dritan Prifti./Versus.al








