POLITIKË /

"Grupet kriminale kanë akoma akses në sistemin TIMS", Salianji: SPAK të hetojë, siguria kombëtare në rrezik

Salianji e cilësoi si të papranueshëm faktin që persona të paautorizuar kanë ende qasje në TIMS.

Shkruar nga Versus

"Grupet kriminale kanë akoma akses në sistemin TIMS",

Deputeti Ervin Salianji, njëkohësisht kryetar i komisionit të posaçëm hetimor për rrjedhjen e të dhënave në sistemin TIMS ka dhënë deklaratë lidhur me përfundimet e nxjerra nga hetimi që u përqendrua edhe në dëshmitë e krerëve më të lartë të sigurisë në vend.

Salianji tha se për çështjen duhet të bëhet një hetim i gjithëanshëm nga SPAK duke pretenduar se persona të grupeve kriminale kanë akoma qasje në sistemin TIMS. 

“Persona pa asnjë lidhje me policinë, kanë pasur akses në sistemin TIMS. Mbetet e paqartë për shkak se PS nuk pranoi, se si persona privatë që nuk ushtrojnë një detyrë shtetërore, futen në TIMS. është emergjente të bëhet një hetim i shpejtë nga SPAK që të mos kemi problematika të mëtejshme.

Mundet që edhe puna e SPAK të dëmtohet nga ky sistem për shkak se çdo person që shpallet në kërkim, mund të largohet nga vendi. Aksesi i lirë nga këta persona përbën rrezik për sigurinë e vendit, por edhe rrezik për partnerët dhe shtetet e huaja, sepse mund të përdoren nga vende jo miqësore”- deklaroi Salianji.

Ai theksoi se nuk ka asnjë përgjegjës nga ana e policisë për këto ndërhyrje dhe nuk shpjegohet sesi persona të paautorizuar mund të kishin këtë lloj qasje.

“Ia lënë fajin njëri tjetrit dhe pavarësisht komunikimeve dhe njoftimeve të marra me telefon, nuk kanë bërë asnjë ndërhyrje duke lënë që për një sistem të rëndësisë së veçantë, 8 persona të bënin çfarë të donin. Sistemi TIMS mund të jetë përdorur nga pjesëtarë të grupeve kriminale apo nga politikanë që kanë dashur të fshehin daljen e tyre nga vendi”- shtoi deputeti.

Komisioni i TIMS mbylli punimet në fund të korrikut, me Salianjin i cili pretendoi se ishte arritur faktimi i ndërhyrjeve në sistemin e TIMS nga persona të pautorizuar. Versus.al

Poll