
Kryeministri Edi Rama njoftoi një masë të re për punonjësit e sektorit publik në kuadër të projektbuxhetit për vitin 2026.
Sipas tij, për herë të parë, do të fillojë praktika e indeksimit vjetor të pagave, e cila deri më tani aplikohej vetëm për pensionistët.
“Ky është një model i ri pagash që, i kombinuar me rritjen e përgjithshme të pagës minimale, do të shtojë gati 100 milionë euro që nga viti 2026, për të rritur fuqinë blerëse të të gjitha kategorive shoqërore,” tha Rama.
Konkretisht, sipas kryeministrit:
10 600 punonjës të shërbimit civil do të përfitojnë rritje prej 10 000 lekësh të reja në muaj;
Specialistët dhe administrata publike do të marrin 5 000 lekë të reja;
Mësuesit do të përfitojnë 3 000 lekë të reja në muaj.
Në sektorin e Shëndetësisë, do të fillojë llogaritja e vjetërsisë në punë, ndërsa për Policinë do të ketë rritje të kompensimit sipas vjetërsisë.
Kryeministri theksoi se ky proces do të bëhet çdo vit, duke e bërë Shqipërinë “në një nivel tjetër” dhe duke përmirësuar vazhdimisht standardin e punonjësve të sektorit publik.
“Ata që na dhanë besimin me 83 mandate meritojnë çdo vit më shumë dhe do të kenë çdo vit e më shumë,” përfundoi Rama.
Kryeministri Rama:
Përshëndetje përsëri këtu nga zyra ime, sepse ka një tjetër lajm shumë të mirë në projekt-buxhetin 2026, i cili është fillimi i praktikës së indeksimit vjetor, edhe për pagat e punonjësve të sektorit publik, qoftë në nivel qendror, qoftë nivel vendor, të cilat do të korrektohen çdo vit në bazë të inflacionit.
Kjo është një politikë e re pagash, që e kombinuar me rritjen e përgjithshme si rezultat i rritjes së pagës minimale për të gjithë, i shton gati 100 milionë euro, qysh në vitin e parë 2026, shumës që mandati i katërt do të vërë në dispozicion të rritjes së fuqisë blerëse të të gjitha kategorive shoqërore.
Kështu konkretisht:
10600 punonjës shërbimi, sanitare, shoferë, teknikë, protokollistë, arkivistë, magazinierë do të përfitojë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj.
Për specialistët e administratës publike rritja do të jetë 5 mijë lekë të reja.
Mësuesit do të përfitojnë pagë, 3 mijë lekë të reja më shumë në muaj.
Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit vjetor, do të fillojë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë, që do të thotë si mesatare për mjekët e përgjithshëm nga 131.700 lekë në 143.500 lekë të reja në muaj.
Për mjekët në spitale nga 174 mijë lekë në 186 mijë lekë të reja në muaj.
Për infermierët nga 87 mijë lekë në 92.500 lekë në muaj.
Po ashtu, edhe për punonjësit e policisë së shtetit, përveç indeksimit, do të ketë rritje për vjetërsinë në punë, e cila për gradat më të ulëta përkthehet në një rritje mesatare me 5 mijë lekë të reja në muaj.
E thënë ndryshe, për një punonjës me vjetërsi mesatare 15 vjet, sipas gradave pagat rriten si më poshtë:
Për inspektorët e thjeshtë nga 80.500 lekë të reja në 84.500 lekë të reja, plus shtesa për kushtet e punës dhe ushqimit, që e çon pagën mesatarisht në 100 mijë lekë të reja.
Për nënkomisaret, paga do të rritet nga 95.500 në 101 mijë lekë të reja, e cila me shtesën për kushtet e punës dhe po ashtu, për ushqimin shkon në 116 mijë lekë të reja.
Për komisarët nga 105 mijë në 110.600 dhe me shtesën për kushtet e punës, plus për ushqimin, shkon në 125.600 lekë të reja.
Dhe për drejtuesit e thjeshtë, nga 130.500, paga do të shkojë 141.450 lekë të reja, që me shtesën dhe me ushqimin bëhet mesatarisht 156.450 lekë të reja.
Janë të gjitha lajme të mira për të gjitha këto kategori, sepse tani Shqipëria është në një nivel tjetër dhe ky fakt do të bëhet çdo vit dhe më i prekshëm në jetën e përditshme të njerëzve tanë, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, të njerëzve që jetojnë me punë. Sepse ata që na dhanë besimin e jashtëzakonshëm, me 83 mandate për Shqipërinë 2030, meritojnë çdo vit e më shumë dhe do të kenë çdo vit e më shumë.
Këta jemi ne, ky jam unë, kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë.
/Versus.al
