
Tiranë- Mes debateve, u miratua të hënën rezoluta anti-korrupsion e propozuar nga socialistët që përmban ngritjen e një komisioni të posaçëm për monitorimin dhe çuarjen përpara të reformave të domosdoshme në kuadër të integrimit në BE.
Rezoluta u miratua vetëm me 76 vota të socialistëve, ndërsa nuk munguan as debatet dhe përplasjet mes ligjvënësve demokratë dhe kryeministrit Edi Rama i cili në rikthimin e tij në Kuvend u prit me përplasje të tavolinave nga ana e deputetëve të opozitës.
Pavarësisht se para nisjes së seancës plenare, opozita ishte dakordësuar që në momentin që do të votohen projekt-rezoluta deputetët do të linin sallën e Kuvendit, dy prej tyre dolën nga rreshti opozitar, konkretisht Agron Shehaj dhe Dashnor Sula, të cilët votuan kundër.
Përpara nisjes së seancës plenare, në një deklaratë për mediat kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se do t’i qëndronte kundërshtimit të tij ndaj rezolutës së propozuar nga socialistët duke e cilësuar si “përpjekje për të nxjerrë jashtë loje SPAK-un”.
Nga ana tjetër, grupi i Rithemelimit para seancës plenare në një mbledhje të organizuar vendosi që asnjë prej deputetëve të mos ishte i pranishëm në sallë në momentin e votimit por të merrte pjesë në debatin me socialistët.
Gjatë fjalës që kryeministri Rama mbajti në foltoren e parlamentit pas një periudhe të gjatë mungese, teksa argumentoi se qëllimi i rezolutës është përafrimi i legjislacionit të vendit me atë të BE, nuk munguan as “thumbat” për kreun e Rithemelimit, Sali Berishën.
Kjo solli edhe reagimin e deputetëve të Rithemelimit në sallë të cilët e shoqëruan fjalën e Ramës me përplasje të tavolinave për t’u pasuar më pas nga një debat me tone të ashpra mes kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhit dhe ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
Pavarësisht miratimit të rezolutës vetëm me votat e mazhorancës, Rama dhe socialistët bënë thirrje ndaj deputetëve opozitarë që të mos bojkotojnë mbledhjet e komisionit të posaçëm që pritet të ngrihet për t’i dhënë jetë zbatimit të rezolutës. Versus.al
Dokumenta bashkëngjitur







