
Anëtari demokrat i Këshillit Bashkiak të Vlorës, Gjergj Nika ka vendosur të shpallë kandidaturën e tij për kryebashkiak në Vlorë duke refuzuar të mbështesë Dionis Sotën i cili garon si kandidat i pavarur, por me mbështetje nga PD dhe Lëvizja Shqipëria Bëhet.
Në reagimin e bërë në rrjetet sociale, Nika kritikoi kryedemokratin Sali Berisha duke thënë se ky i fundit nuk ka dashur kurrë të ketë një PD të fortë, por thjesht të nënshtruar ndaj vullnetit të tij. Sipas tij, duhej që PD të kishte dalë me kandidatë me eksperiencë politike dhe jo të kalojë në pasivitet duke mbështetur Sotën të cilin e konsideroi si ‘figurë qesharake e groteske’.
‘’Zgjedhjet e pjesshme vendore po e nxjerrin lakuriq një të vërtetë që demokratët duhet ta pranojnë pa iluzione: Sali Berisha nuk ka dashur kurrë një PD të fortë, të hapur e të bashkuar. Ai ka dashur vetëm një PD të nënshtruar, të varur nga vullneti i tij, një opozitë që nuk ngrihet për të fituar, por për të justifikuar humbjet e tij. Prandaj ai vazhdon të investojë në një opozitë të rreme, të kontrolluar dhe të nënshtruar, me qëllimin e vetëm për të mbajtur peng demokratët, për të ruajtur ndikimin personal dhe për të shërbyer si garanci e stabilitetit politik të Edi Ramës.
Në vend që të mbështesë kandidatë me integritet, me eksperiencë politike, profesionale dhe me peshë morale, Berisha po "përzgjedh" figura qesharake e groteske, shpesh të ardhura nga e majta, pa biografi politike, madje edhe me të kaluar të dyshimtë. Kjo nuk është rastësi! Në Vlorë, ku dikur PD kishte një bazë të fortë dhe një potencial real për ringritje, Berisha ka vendosur të “mbështesë” individ që as vetë demokratët, nuk e duan, nuk e njohin dhe as nuk do ta mbështesin, ngaqë për të, vitet e fundit garat zgjedhore janë farsë’’- ka shkruar në facebook Gjergj Nika ndër të tjera.
Ndërkohë nuk ka vonuar as reagimi i PD-së në degën e Vlorës. Hysni Sharra, kreu i degës së PD në këtë qark ka deklaruar se çdo kandidaturë nga opozita, do t’i shërbente pushtetit personal të Edi Ramës.
“Partia Demokratike e Shqipërisë, Dega e Partisë Demokratike Vlorë dhe aleatët e saj, janë në këtë fushatë të zgjedhjeve të pjesshme vendore përkrah kandidatit të pavarur, zotit Dionis Sota.
Ne jemi në mbështetje të plotë dhe pa asnjë ekuivok të kësaj kandidature dhe besojmë se kandidati, programi, ndershmëria dhe përkushtimi pêr zgjidhjen sa më të shpejtë e të qëndrueshme të problemeve që "rilindja" dhe qeverisja 27-vjeçare e Partisë Socialiste, i kanë shkaktuar Vlorës, do të jenë kryefjala e kësaj fushate.
Nga ana tjetër, çdo spekullim, marrëveshje apo "kandidim" i personave të caktuar në emër gjoja të opozitës, është sharlatanizëm, aventurë dhe, patjetër, shërbim ndaj Ramës dhe pushtetit të tij tê korruptuar e kriminal!”, shkruhet në postimin e degës së PD-së në Vlorë. Versus.al







