Kryedemokrati Sali Berisha dënoi me forcë ato që ai i konsideroi kërcënime të kryebashkiakut Erion Veliajt ndaj prokurorit të SPAK, Olsi Dado dhe të dëshmitarëve të dosjes së tij.
Berisha tha se kërcënimet që Veliaj po i bën Dados janë mesazh për dëshmitarët që të heshtin ose përndryshe do të kenë probleme personale me të.
“Nuk mund të ketë kërcënime personale, se pastaj është vetëgjyqësi. Por mesazhi që jep ky hajdut, që ka hyrë në analet botërore si një nga hajdutët më të këqij në Europë, dhe e shoqja e tij si Lajla Asadi me garderobë 1 milionë, është mesazhi i kërcënimit me jetë të dëshmitarëve.
Sepse kërcënimi i tij për Olsi Dadon është një kërcënim që për shkak të mbrojtjes që kanë këta prokurorë, ai shanset i ka zero që ta agresojë fizikisht. Por kërcënimi personal është për dëshmitarët, që po folët, do e keni personale me mua”- deklaroi Berisha.
Më tej u shpreh se PD do të padisë Veliajn për tentativën e pengimit të hetimeve nëpërmjet kërcënimit të dëshmitarëve.
“Nuk ka akt më të mirëfilltë të pengimit të drejtësisë se ky. PD po shqyrton të gjitha modalitetet për ta paditur për aktin e pengimit të drejtësisë dhe kërcënimit të dëshmitarëve. Nuk ka. Kodi i këtij mesazhi është kërcënimi i dëshmitarëve, të cilët kanë merita, duhet t’i pranojmë. Çdo njeri që pranon të zbardhë një krim, ka merita të padiskutueshme. Ndaj dhe i them Erion Veliajt se me asgjë nuk mund të shpëtosh nga krimet dhe mos guxo të kërcënosh dëshmitarët se do përgjigjesh shumë rëndë”- shtoi ish-kryeministri.
Më tej Berisha vijoi edhe me akuzat ndaj SPAK duke thënë se prokurorët e posaçëm i kursyen Veliajt akuzat për Inceneratorin e Tiranës dhe aferën 5D.
“Po të jetë puna për ata skapistë, ata të kursyen ty djegësin 130 milionë euro, që nuk ekziston kund. 5D-në që vetëm hoteli i qeltë kushton 75 milionë euro gjer tani, 20 e ca katesh, hoteli më gjigant në Shqipëri. Ndaj dënoj këtë akt, dënoj me forcën më të madhe heshtjen e Edi Ramës, i cili më falni për shprehjen, nuk po e përdor atë fjalën që duhet të përdor, por nga mëngjesi gjer në darkë nuk i pushon goja dhe nuk gjeti tre fjalë për të dënuar këtë akt. Çka lë të nënkuptohet se janë në sintoni me njëri-tjetrin”- u shpreh Berisha. Versus.al







