POLITIKË /

Rama në Himarë, ndan 437 tituj pronësie: S’ka asnjë plan të fshehtë për t’u marrë tokat! Pronat këtu janë shitur sa trefishi i çmimeve në Korfuz

Kryeministri Edi Rama u ndal sot në Himarë ku ndau 437 tituj pronësie për banorët e zonës duke theksuar se nuk ka asnjë plan nga të fshehtë për dhënien e pronave të tyre drejt oligarkëve.

Shkruar nga Versus
Rama në Himarë, ndan 437 tituj pronësie: S’ka asnjë
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në Himarë për të ndarë 437 tituj pronësie tek trashëgimtarët e ligjshëm. 

Teksa theksoi se certifikatat e pronave janë një problem nga veriu deri në jug të Shqipërisë, ai tha se para qeverisjes së PS, ka pasur një “lojë të ndyrë” kriminale me titujt e pronësisë.

“Nuk ka asnjë metër katrorë nga Llogaraja deri në Ksamil që ti jetë marrë një trashëgimtari legjitim dhe t’i jetë dhënë dikujt tjetër nga shteti. Por ka situata të rënda të zhvilluara në vitet para se të vinim në qeveri ku është bërë një lojë e ndryë kriminale dhe ku në pika të caktuara janë shfaqur mes tyre si pronarë persona të lidhur me pushtetin e atëhershëm të cilët i kanë vënë trashëgimtarët para një zgjedhje që ose të pranojnë të shesin pronën e tyre”- tha Rama.

Sa i takon akuzave se tokat në Himarë po u jepen oligarkëve, Rama i cilësoi si “poshtërsi propagandistike” dhe tha se nuk ka asnjë plan të tillë.

“Kush thotë se i janë marrë pronat himariotëve, trashëgimtarëve dhe u kanë kaluar të tjerëve pa miratimin e tyre, thotë një gënjeshtër shumë të madhe. Jo vetëm që prej vitesh, pronat këtu shiten nga banorët, me çmime që nganjëherë janë dyfishi apo trefishi i çmimeve në Korfuz por shiten edhe nga 2 apo 3 herë për faktin që zhvilluesit për të mos patur probleme paguajnë një person, paguajnë edhe të dytin e të tretin që pretendon se e ka pronën e vetë, vetëm që mos të kenë probleme.  Ideja që në Tiranë ka një plan për të zhveshur himariotët nga pronat e tyre është një poshtërsi propagandistike pa asnjë fakt. Le të dalë njëri dhe të thotë, mua ma morën pa më thënë gjëfare. Nuk ekziston. Flasim për prona që janë të mbështetura në letra”- shtoi kryeministri.

Ndër të tjera duke iu referuar origjinës së tij himariote, Rama theksoi se asnjëherë nuk kishte kërkuar asnjë sipërfaqe toke. Por theksoi edhe se ka raste kur një pronë shitet disa herë.

“Unë dhe e ndjera ime më nuk kemi kërkuar kurrë asgjë. Ju e dini shumë mirë se ku e kemi rrënjën këtu. Kurrë! Asnjë metër katrorë. Por kjo nuk do të thotë se unë nuk di historinë edhe të pronës sime, edhe të kushërinjve edhe të nipërve edhe tuajat. Kështu që t’i ndajmë gjërat, çfarë është e shtetit, është e shtetit, çfarë është e juaja, është e juaja.

Fakti që sot po e bëjmë këtë proces, do shikoni pas disa javësh, në fund të qershorit besoj do jem në Theth. Edhe atje, shtëpitë e të parëve që nuk kanë marrë akoma çertefikatë por jo për ndonjë plan të ndonjërit për t’u marrë shtëpitë. Ajo që nuk ka të bëjë fare me broçkulla propagandistike që iu kanë mbushur mendjen. Secili e di vetë nga vjen dhe historinë por ne nuk i ndajmë as në tropojanë apo sarandiotë e jo më himariotët. Juve nuk ua ha qeni shkopin, shqiptarëve nuk ua ha qeni shkopin për politikë”- theksoi Rama.

Në përfundim të takimit në Himarë kreu i qeverisë bëri me dije se deri në përfundim të nëntorit, do të shpërndahen certifikatat për 4 mijë prona në Himarë.

Poll