
Moderatorja, Grida Duma e cila më herët ka qenë deputete në Partinë Demokratike prej ku hoqi dorë për të ndjekur rrugën e saj në fushën e medias, ka lënë të kuptohet se mund të rikthehet sërish në politikë.
Gjatë episodit më të fundit të podcastit të saj, Duma foli për mundësinë e krijimit të një partie që do të ketë në qendër gratë shqiptare.
“Një ditë do zgjohem në mëngjes dhe do bëj një parti që do ketë në fokus gratë,” u shpreh Duma, duke i drejtuar të ftuarës së saj Hatit, një ftesë të hapur për t’u përfshirë në këtë nismë. “Bëj një sakrificë katër vite vetëm, jep modelin tënd të vërtetë. Ndoshta nuk fitojmë, por do prekësh gjithë Shqipërinë.”
Ndërkohë e ftuara e saj e cila njihet në rrjetet sociale si “Hati” e pranoi idenë me entuziazëm.
“Mendoj që do e bëja. Më pëlqejnë sfidat, më pëlqejnë gjërat e reja. Pse jo, do e testoj veten deri ku mund të shkoj.”
Në fund të bisedës, Duma e lë të hapur idenë se kjo mund të mos ketë qenë thjesht një shkëmbim idesh, por fillimi i diçkaje konkrete:
“Kjo është më shumë se një ftesë, por do ta mbaj mend që e kemi bërë këtë bisedë bashkë, përpara se të të marrë dikush tjetër.” Versus.al
