Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë nga një debat lidhur me pyetjet që do t’u drejtohen krerëve të institucioneve të drejtësisë. Kryeparlamentari Niko Peleshi njoftoi se përfaqësuesit e institucioneve do t’u përgjigjen pyetjeve me shkrim, ndërsa opozita ka kërkuar që Dumani dhe të tjerët të pyeten nga deputetët në sallë.
Deputetja Jorida Tabaku tha se Kuvendi është sallë debate dhe se në këtë mënyrë opozitës po i hiqet çdo e drejtë.
“Parlamenti nuk është kuti postare, është sallë debati. Manuali që ju citoni, mos na e cito fare këtu në sallën e Kuvendit. Pjesë pjesë po i hiqni opozitës çdo lloj të drejte. Po bëhen 2 muaj që ka nisur Kuvendi dhe akoma nuk kam dalë atje të flas në foltore. Mos e ktheni në bunker parlamentin. Na lejoni kohën tonë si opozitë të flasim, nuk ka vdekur njeri nga fjala. Lejoni drejtuesit e institucioneve t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve dhe të ketë një debat publik”- tha Tabaku.
Nuk ka vonuar as përgjigjia nga ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu i cili tha se opozita kërkonte t’u bënte gjyq publik krerëve të institucioneve të drejtësisë. Sipas tij, pyetjet me shkrim kanë të njëjtin ndikim si pyetjet me gojë në Kuvend.
“Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë është më e qartë sesa mjegulla që po përpiqet të ngrejë opozita në një kauzë që nuk ekziston. Raporton 20 minuta drejtuesi i institucionit, lexohet projekt rezoluta dhe fillojnë pyetjet e përgjigjet e deputetëve. Si mund të pretendosh që një pyetje me shkrim nuk qenka e drejtë për të folur? Mbani mend vetëm letrat nga burgjet. E dini çfarë bën një pyetje e shkruar? I heq zhurmën Big Brotherit dhe zhurmës politike. Kur e merr titullari i institucionit e lexon njësoj një pyetje pavarësisht sesi mund të teatrohet këtu në Kuvend. Pyetjet po të shkruhen mirë, po të referoheni mbi referencat e duhura patjetër që mund të vendosin krerët e institucioneve para përgjegjësisë”- tha Gogu. Versus.al
