Ervin Salianji ka humbur automatikisht mandatin me vendimin që u mor sot nga gjykata e Apelit të Tiranës e cila la në fuqi dënimin me 1 vit burg ndaj tij për akuzën e kallëzimit të rremë.
Këtë fakt e pohoi edhe vetë Redi Ramaj avokati i deputetit, i cili tha për mediat se vendimi i marrë sot është i formës së prerë dhe se Salianji humbet mandatin. Ndërsa theksoi se do ndiqen hapat ligjorë të mbetur për të zhbërë këtë vendim të cilin e cilësoi si ‘të padrejtë”.
"E para vendimi është politik dhe kur do të ekzekutohet si do të ekzekutohet është çështje e prokurorisë. Një deputet është dënuar për një vepër penale që nuk ekziston. Sot marrim një dënim politik. Mbasi merret një vendim politik, nga gjykata do të jetë precedent shumë i rrezikshëm, të gjithë do të goditen me kallëzime të tilla. Kushtetuta e ka të përcaktuar qartë. Vendimi i formës së prerë është një nga raste kur deputeti e humb mandatin. Do të kërkohen të gjitha mjetet e nevojshme ligjore, për të zhbërë një vendim të padrejtë. Do të kërkojmë pezullimin e dënimit në Gjykatën e Lartë"- tha Ramaj. Versus.al







