
Tiranë- “Nuk e kishim planifikuar”. Kështu u përgjigj para gazetarëve kreu i grupit parlamentar Niko Peleshi kur u pyet për abstenimin e 65 deputetëve në votimin për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës e cila dyshohet se është në konflikt interesi pasi bashkëshorti i saj është shpallur investitor strategjik.
Pas mbledhjes që pati me deputetët e PS në kryesinë e Kuvendit, Peleshi tha se nuk kishte pasur dakordësim në grup për mënyrën e votimit lidhur me kërkesën e Kushtetueses për të shqyrtuar papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës.
Teksa gazetarët i risollën në vëmendje faktin që Komisioni i Venecias të cilit socialistët i janë drejtuar për opinion, nuk ka rol urdhërues, Peleshi tha se do të veprohet siç do të jetë këshilluar nga komisioni lidhur me këtë çështje.
"Nuk ishte vendim grupi votimi për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Komisioni i Venecias ka rol këshillues, pavarësisht nga roli këshillues i Komisionit, ne do e zbatojmë atë që na thotë pa vonesë që në seancën e parë plenare që do të kemi pas përgjigjies.
Nuk bëhet fjalë për emrin e një deputeti, nëse ikën një vjen një tjetër, nuk është aksion politik. Por besoj se nuk është aq e thjeshtë. Nga njëra anë kemi të drejtën e deputetëve të votojnë siç duan nga ana tjetër kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pjesa politike e jona ishte ta çonim këtë në seancë"- tha Peleshi.
Sa i takon reagimit të ndërkombëtarëve të cilët kritikuan mungesën e gatishmërisë për zbatimin e urdhrave të Gjykatës Kushtetuese, Peleshi tha se kishte paqartësi mes deputetëve lidhur me këtë çështje dhe theksoi se secili prej ligjvënësve ka të drejtën të votojë si e mendon.
"Votova abstenim sepse bëj pjesë në atë grup deputetësh që janë të paqartë lidhur me këtë çështje. Por nuk bëhet fjalë për të shkelur Kushtetutën. Meqë kemi këtë lloj “përplasje të drejtash” i jemi drejtuar komisionit të Venecias. U krijua paqartësi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sepse kemi në anën tjetër vullnetin e lirë të deputetëve për të votuar"- shtoi socialisti.
Në seancën që u mbyll në orët e para të së premtes, socialistët rrëzuan urdhrin e Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e papajtueshmërisë së mandatit të Olta Xhaçkës duke abstenuar me 65 vota, ndërsa 9 prej tyre votuan kundër. Vetëm 25 vota pro mori vendimi i Kushtetueses, nga ana e deputetëve të opozitës të cilët lanë sallën me thirrjet “turp, turp” ndaj kryeparlamentares Elisa Spiropali e cila tha se do t’i drejtohen Komisionit të Venecias duke i kërkuar opinion për këtë çështje. Versus.al








