
Është zbardhur ora e zhvillimit të protestës mbarëkombëtare të thirrur për më 24 janar para Kryeministrisë.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e kryetarit të Partisë Demokratike me drejtuesit politikë të forcës opozitare, protesta do të nisë në orën 17:00.
Edhe në konferencën e sotme para gazetarëve lideri Sali Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën kombëtare të 24 janarit.
"PD u bën thirrje shqiptarëve, sot më shumë se kurrë të flasin me zemërimin e tyre, të flasin me guximin e tyre, të flasin me ndjenjat e dashurisë së tyre për këtë vend dhe të ardhmen e shqiptarëve me datën 24 janar në protestën kombëtare të thirrur nga opozita për këtë qëllim." deklaroi Berisha.
Deri tani opozita ka organizuar një protestë kombëtare në 22 dhjetor 2025 dhe çdo të hënë zhvillon foltoren para godinës së kryeministrisë.
Kryetari i PD, Sali Berisha ka deklaruar se protestat e opozitës nuk do të ndalen deri në largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike që do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme./Versus.al

