
Pavarësisht se 24 deputetë demokratë janë përjashtuar nga seancat plenare, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha në një deklaratë për mediat se ata do të jenë të pranishëm në seancën që mbahet nesër në Kuvend. Për të treguar vendosmërinë e deputetëve Bardhi tha se qëndrimi i tyre nuk ndryshon edhe nëse Rama u vendos përballë ushtrinë.
“Do paraqitemi nesër në seancë plenare. Sigurisht që Rama mund të na vendosë përballë edhe ushtrinë. Në një vend anëtar të NATO-s, ku pengohen deputetët të hyjnë në vendin e punës, shfaq në sytë e opinionit publik tiparet e vërteta të shtetit që po ndërton Edi Rama”- tha Bardhi.
Ndër të tjera shtoi se nuk u lejuan të hynin në seancën e kaluar as deputetët të cilët nuk ishin të përjashtuar nga Kuvendi.
“As deputetët e papërjashtuar nuk u lejuan të futen në sallë në një shkelje flagrante të ligjit. Madje edhe ne përsa kohë kishim paraqitur ankim në sekretarinë e Kuvendit, masat ndaj nesh ishin të pezulluara. Rama na ka shpallur luftë dhe ne do i përgjigjemi në mënyrë proporcionale”- shtoi kreu i grupit të deputetëve demokratë.
Aksioni vijoi edhe në seancën e kaluar ku pavarësisht se ishin të përjashtuar, deputetët e PD u përpoqën të hynin brenda sallës, por hasën në pengesën e Gardës. Të gjendur në këto kushte ata u përplasën me kolegët socialistë duke mos i lënë këta të fundit të hynin në Kuvend. Ndërsa aksioni u mbyll me djegien e manekinëve me foton e kryeministrit Edi Rama, vëllait të tij Olsi Rama si dhe deputetit Fatmir Xhafa e vëllait të tij Geron Xhafa. Versus.al







