AKTUALITET /

GJKKO dënon Endi Braçajn me 5 vite burg për trafik droge, rrëzohet akuza për “grup të stukturuar kriminal”

GJKKO ka dënuar me 5 vite burg Endi Braçajn për trafik droge ndërsa ka rrëzuar akuzën tjetër ndaj tij për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Shkruar nga Versus

GJKKO dënon Endi Braçajn me 5 vite burg për trafik droge,

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 5 vite burg Endi Braçajn nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.

Në njoftimin e bërë publik nga GJKKO, Braçajt i hiqet akuza për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal duke mbetur në fuqi vetëm akuza për trafik droge.

“Deklarimin fajtor të të pandehurit Endi Braçaj për kryerjen e veprës penale “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 7 (shtatë) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.

Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Endi Braçaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal” të parashikuar nga neni 333/a/2 të Kodit Penal.

Në aplikim të nenit 406 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Endi Braçaj, i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 5 (pesë) vite burgim.

Vuajta e dënimit i fillon nga dita e ekzekutimit të vendimit të caktimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, në mungesë të tij ose vendimit gjyqësorë të formës së prerë. Shpenzimet procedurale në fazën e hetimeve paraprake dhe ato gjyqësore mbeten në ngarkim të të pandehurit në pjesën që i takon”- thuhet në vendim.

Kundër vendimit të GJKKO mund të ndërmerret ankim brenda 15 ditëve.

Poll