
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar mbrëmjen e djeshme të opozitës e cila përshkallëzoi edhe në përdorimin e lëndëve plasëse molotov që u hodhën përballë kryeministrisë dhe më pas drejt bashkisë.
Ai tha se protestuesit nuk kanë përse dëmtojnë godinat e institucioneve pasi janë monumente kulture, por theksoi se një gjë e tillë tregon se opozita nuk është dinjitoze për të qenë ofertë qeverisëse.
“E kuptoj kur ke ambicie për të kandiduar dhe shkon nga humbja në humbje me energji të jashtëzakonshme, siç ndodh me kundërshtarët tanë, por ta kthesh këtë ambicie në një produkt pune, ku digjet dhe përdhunohet simboli kombëtar, ku digjet flamuri kombëtar, ku digjen institucionet, që janë monument kulture, kjo s’ka kuptim. As kryeministria e as bashkia nuk janë godina personale, janë monumente kulture, që do i shërbejnë çdo qeverie dhe çdo bashkie që do të shërbejë aty. Kur shkon dhe djeg bashkinë, kryeministrinë, flamurin, tregon se je komplet jo dinjitoz për t’u konsideruar si një ofertë serioze”, tha ai.
Komentet i bëri teksa inspektoi punimet në një bllok banimi në rrugën “Teodor Keko”, duke u shprehur se përgjigjia ndaj këtyre veprimeve do të jetë “spektakolare”. Sipas tij, protesta bëhet vetëm për qëllimet personale të Metës dhe Berishës.
“Jam i bindur se forca e madhe qytetare, djegësve të gomave, të ndërtesave dhe të flamujve, do t’u japë një përgjigje spektakolare. Ne do të shkojmë të mobilizuar me pjesën e shëndoshë të shoqërisë, me pjesën që do të mësojë, që do të punojë, që do rend, që do ligj, që do pastërti, që do hijeshi, që do gjelbërim. Kjo është pjesa e shëndoshë. Kjo është shumica e heshtur e popullit që, edhe herën e fundit me 60 mijë vota, por edhe në çdo hapësirë tjetër, del në votime dhe thotë: ‘Unë dua që gjërat të ecin përpara, jo djegie flamujsh, jo djegie gomash, jo djegie institucionesh’. Për të gjithë ata njerëz që kanë besim na duhet që ta kalojmë verën në punë, që të bëjmë diferencën mes atyre që djegin, se duan të kapin shtëpitë e tyre në Lalëz dhe atyre që punojnë përditë, përditë, përditë. Se është verë, se është dimër, se është e shtunë, se është diel, duhet t’i çojmë gjërat përpara”- shtoi më tej Veliaj.
Për hedhjen e lëndëve plasëse drejt bashkisë dhe kryeministrisë, policia nisi procedimin në gjendje të lirë të tetë personave, mes të cilëve edhe një i mitur. Protesta e mbrëmjes së djeshme zgjati rreth 2 orë, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i PL, Ilir Meta ndërsa Sali Berisha mbajti fjalimin e tij nëpërmjet një videoje të regjistruar. Versus.al







